Foto: KALLXO.com

Vrasja që dyshohet se ndodhi për 20 euro borxh, i akuzuari jep versionin e tij për rastin

Sylejman Ahmeti gjatë seancës së sotme u është përgjigjur pretendimeve të Prokurorisë, e cila e akuzon për vrasjen e Shaip Krasniqit.

Rasti tragjik, i cili ka ndodhur në janar të vitit 2020 në Maqitevë të Suharekës, dyshohet se kishte nisur pas mosmarrëveshjeve për një borxh prej 20 euro që tashmë viktima ia kishte vëllait të të akuzuarit.

Në seancën e sotme, i akuzuari ka rrëfyer në Gjykatën e Prizrenit ngjarjen deri në momentin kritik.

Të njohur që nga bankat shkollore, Sylejman Ahmeti dhe Shaip Krasniqi miqësinë e vazhduan edhe për shumë vite.

I ndjeri pasi ishte kthyer nga Zvicra, diku rreth vitit 2017, vendosi ta blejë një pronë pranë të akuzuarit.

“Shaip Krasniqi ka dashur ta blejë tokën time, por meqë nuk arritën ujdi ai e bleu tokën prej një personi tjetër që është komshi me pronën time”, tha i akuzuari.

Përkundër kësaj, sipas Sylejman Ahmetit miqësia kishte vazhduar ende.

“Kemi ndejtur me shoqëri, me shahira, kështu e kemi kalu kohën”, deklaroi Ahmeti.

Madje, jo rrallëherë, ai dhe vëllai i tij e kishin ndihmuar të ndjerin vullnetarisht në kositjen e barit, mbikëqyrjen e tokës, në ndërtimin e shtëpisë e punë të tjera.

Por, për një problem që kishte lindur mes vëllait të tij Nijaziut dhe Shaip Krasniqit ai ishte njoftuar  vetëm në ditën kritike, më 26 janar 2020.

“Përmes thirrjes në “Messenger”, Shaipi më tregoi se Nijaziu (vëllai im) e paska sha dhe më tha se nuk mujta me zatet se kam pas me troshitë”, sqaroi i akuzuari.

Pas bisedës, ata lanë takim te lokali i Liman Aliut në Maqitevë.

“Në lokal jam përshëndetur me Limanin dhe Nderimin, gjithashtu ia kam zgjatur dorën Shaipit por ai ka filluar me sharje me nënë, familje, fyerje e kërcënime. Unë i thash eja të dalim jashtë dhe të bisedojmë por Shaipi ka vazhduar me sharje drejt meje”, tha i akuzuari.

I akuzuari tha se pasi filloi të tensionohej situata kishte dalë nga lokali dhe e kishte marrë një armë. Pas tij kishte dalë edhe tashmë viktima. Sipas Sylejman Ahmetit, Shaip Krasniqi ka pasur një mjet në dorë.

“Unë e mora armën, sepse në atë moment e pash veten të rrezikuar. Një person (Liman Aliu) me kishte kapur pas shpine dhe nuk e kam ditur pse”, shtoi i akuzuari.

Pas atij momenti i akuzuari tha se nuk dinte asgjë se çfarë ka ndodhur.

“Çfarë kam bërë më tutje nuk më kujtohet, e di që jam nisur në drejtim të shtëpisë sime me kamionëtë”, përfundoi i akuzuari.

E për vdekjen e Shaip Krasniqit ai tha se kishte mësuar vetëm në stacionin policor.

“Për vrasjen e Shaip Krasniqit kam kuptuar në stacionin policor”, tha i akuzuari.

Rrëfimin për vrasjen dhe kërkim-faljen e të akuzuarit nuk ishte e pranishme për ta dëgjuar gruaja e të ndjerit Kumrije Krasniqi, e cila për shkak të gjendjes së rënduar emocionale para fillimit të gjykimit kërkoi ta lëshojë sallën.

Seanca e sotme për shkak të përfundimit të orarit u ndërpre e ajo e radhës u caktua për më 12 korrik 2022.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafene të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.