Ilustrim

Vrasja në Gjilan, policit të dyshuar iu gjetën 3 revole

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar në vendin e ngjarjes në lidhje me rastin e vrasjes së një qytetari sot në mëngjes në Gjilan, për çka po dyshohet një pjesëtar i Policisë.

Bazuar në hetimet preliminare, dyshohet se personi i dyshuar V.H  (pjesëtar i Policisë së Kosovës nga Njësiti për mbrojtje të afërt), pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një aksident ka shtënë me armë  zjarri në drejtim të viktimës, njofton IPK.

“Si pjesë e procedurës hetimore IPK ka konfiskuar një armë GLOCK 9×19 që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast dhe një karikator. Në veturën e të dyshuarit (zyrtarit policor) janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy revole të llojit Bereta”, njofton Inspektorati Policor.

Hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me njësitin rajonal të hetimeve kanë zbatuar edhe një urdhëresë për bastisje në fshatin Malishevë të Gjilanit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

KALLXO.com raportoi sot se një person është vrarë me armë zjarri në Gjilan sot rreth orës 5:00 të mëngjesit.

I dyshuari për këtë rast është një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Një i vrarë në Gjilan, dorasi dyshohet se është polic

www.kallxo.com