Foto: KALLXO.com

Ndalohet Lirim Jakupi për vrasjen që kishte ndodhur vitin e kaluar në një kafene në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një person nën dyshimet për përfshirje në veprën penale vrasje e rëndë, e cila kishte ndodhur vitin e kaluar në një kafene në Gjilan.

KALLXO.com mëson se i ndaluari është Lirim Jakupi. Sipas njoftimit të prokurorisë, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Tutje siç mësohet, Prokuroria në Gjilan ka siguruar prova të mjaftueshme për Jakupin për veprat që i ngarkohet.

Viktima ishte Bakush Veseli ndërsa KALLXO.com kishte raportuar për dosjen e gjykatës për këtë vrasje.

Ndaj Bakush Veselit ishin zbrazur dy karikatorë, ndërsa në atë kohë ishin arrestuar tre persona.

Siç ka mësuar KALLXO.com i ndaluari i sotëm është Lirim Jakupi. I njëjti është i njohur për sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi që në shkurt të vitit 2020, Lirim Jakupi ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 700 euro gjobë. Kjo pasi që akuzohej nga prokuroria në Gjilan se ka kanosur të dëmtuarin Erhan Aliu dhe ka bartur armë pa leje.

Rasti, sipas aktakuzës, kishte ndodhur më 27 shtator 2019, në afërsi të fshatit Dobërqan të Gjilanit. Prokuroria pretendonte se teksa i dëmtuari kishte hyrë në tejkalim me veturën e tij dhe kishte shkuar në pozicion paralel me veturën e të akuzuarit, ky i fundit ka nxjerr revolen dhe ia drejton të dëmtuarit dhe një pasagjeri që ishte me të.

Jakupi para se të dënohej ishte deklaruar i pafajshëm.

I njëjti në vitin 2017 ishte liruar nga akuzat se kishte hapur zjarr në drejtim të policëve maqedonas në vitin 2014 si dhe ndaj forcave policore maqedonase në Tetovë në vitin 2004.

Prokuroria e kishte ngarkuar Jakupin me veprën penale tentativë për të kryer vrasje të rëndë në bashkëveprim, për të cilën pra pesë vite më parë i njëjti është liruar nga akuzat.

Dosja e Gjykatës për vrasjen në Gjilan: Të pandehurit zbrazën dy armë në drejtim të viktimës