Foto-ilustrim

Prokuroria e Gjilanit: 7 plumba u shkrepën në incidentin ku një person u vra e një u plagos

Prokuroria e Gjilanit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh kundër të pandehurve V.H., E.N., R.I., A.S. dhe B.K.

Ata po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasja e rëndë, e cila sipas Prokurorisë ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një borxh në të holla në mes të pandehurve dhe tani të ndjerit E.R.

Sipas Prokurorisë, viktima E.R. është vrarë me armë zjarri ndërsa gjatë ditës së sotme është ndaluar edhe personi i pestë i dyshuar për vrasjen e mbrëmshme.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 8 nëntor 2021, rreth orës 20:40 minuta, në lagjen ‘’Arbëria’’, në Gjilan, afër shtëpisë së të ndjerit E.R., pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi në të holla në mes të pandehurve, të pandehurit me dashje kanë privuar nga jeta E.R., në atë mënyrë që të pajisur me dy lloje të armëve të zjarrit, kanë gjuajtur 7 herë në drejtim të njërit-tjetrit, ku nga shkëmbimi me armë zjarri ka mbetur i vdekur E.R., ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe i pandehuri V.H., i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.