Ilustrim

Gjilan, gjendet drogë dhe arma me të cilën dyshohet se u krye vrasja

Një person ka mbetur i vrarë e një tjetër është plagosur dy ditë më parë në Gjilan ndërsa policia ka dhënë detaje shtesë në lidhje me provat dhe materialet e konfiskuara nga vendi i ngjarjes të cilat mund të përdoren në zbardhjen e rastit.

Në raportin 24-orësh, policia ka treguar se gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe një person tjetër si i dyshuar për vrasjen ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe substanca narkotike si dhe një pistoletë që dyshohet se u përdor në rast.

Po ashtu i plagosuri i kësaj ngjarje gjatë ditës së djeshme është intervistuar nga ekipet policore në cilësinë e të dyshuarit.

I njëjti ka qenë duke u trajtuar në QKUK, pas plagëve të marra në natën kritike.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, i dyshuari i pestë i arrestuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.

KALLXO.com raportoi se të hënën në mbrëmje një person ishte vrarë e një tjetër ishte plagosur në Gjilan. Deri më tani ende nuk janë bërë të ditura nga ana e institucioneve të rendit se cili ka qenë shkaku i përleshjes mes të dyshuarve dhe viktimës.

Vrasja në Gjilan, arrestohet edhe personi i pestë që ishte në kërkim