Vrasja në Balincë të Malishevës në gusht të 2023-tës, aktakuzë ndaj 9 personave

Prokuroria e Gjakovës, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër nëntë të pandehurve në lidhje me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më datë 31.08.2023, në fshatin Balincë, Komuna e Malishevës.

Kjo, sipas njoftimit të datës 01.07.2024, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale si në vijim:

Për të pandehurin Xh. G., ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurit Xh. G., F. G., K. G., A. G., dhe N. G., ekziston dyshimi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.

Për të pandehurin K. G., ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurin A. G., ekziston dyshimi  se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurin N. G., ekziston dyshimi  se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Për të pandehurit L. K., D. K., Q. K., dhe A. M., ekziston dyshimi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Më 31.08.2023, një burrë dyshohet se u qëllua me armë zjarri në Balincë të Malishevës dhe më pas u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë. Aty ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Personeli mjekësor atje ka konstatuar vdekjen e tij. Në këto momente jemi në kërkim të të dyshuarit/ve. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”- kishte deklaruar më 31.08.2023, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Elezaj kishte bërë të ditur se është konfiskuar edhe një armë zjarri.

Më 01.09.2024 Prokuroria e Gjakovës kishte kërkuar 30 ditë paraburgim për tetë persona të dyshuar lidhur me këtë vrasje.