Vrasja në "Kobra City", Roland Susuri dyshohet se fshehu DVR-in e lokalit dhe armën dhe telefonin e Dibran Hoxhës

Roland Susuri është i dyshuari i shtatë i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës. Me vendim të Gjykatës ai do të mbetet për 30 ditë në paraburgim pasi gjyqtari vlerësoi se ka rrezik që i njëjti të pengojë rrjedhen e procedurës penale.

Mbi të ka dyshime edhe se ka marrë pjesë në rrahje së bashku me të dyshuarit e tjerë Kujtim Gashi, Jetmir Badalli, Burim Mazreku, Enver Amrallahi dhe Arben Veza.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruan dyshimet se Roland Susuri me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të incizimeve që do të shërbenin në procedurën penale, e heq regjistruesin e pamjeve të kamerave (DVR) nga lokali, e merr me vete dhe e fsheh së bashku me armën dhe telefonin e të pandehurit Dibran Hoxha.

Mbi këto dyshime, prokurori i shtetit ka kërkiar që ai të mbahet në paraburgim.

Kërkesën për parabugim e ka kundërshtuar Ruzhdi Berisha, mbrojtës i të pandehurit Roland Susuri.

Berisha në seancën për masën e sigurisë ka arsyetuar se në ditën kritike kur ka ndodhur ngjarja i pandehuri ka qenë në vendin e punës pasi punon kamerier.

Berisha mes tjerash ka shtuar se nuk qëndrojnë arsyet për paraburgim pasi Roland Susuri në Polici ka deklaruar se me të filluar rrahja ai është mbyllur në zyrë dhe aty ka qëndruar derisa është qetësuar situata.

Gjykata të dyshuarit i ka caktuar masën e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri më 6 shkurt 2023.

Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City” ka ndodhur një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi ka mbetur i vdekur e një tjetër i plagosur.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Kjo është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, i cili ka thënë se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga D.H. me armë zjarri.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markes Audi, dyshohet se shtetasi D.H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre” – ka deklaruar kryeprokurori Shala.

Shala ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Kobra City” me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

KALLXO.com ka raportuar se përpos armës së krimit e cila është zhdukur dhe ende nuk është gjetur, nga lokali i natës “Kobra City” janë zhdukur edhe kamerat e sigurisë.

Ditë më parë nga Policia janë kryer disa bastisje në Prizren.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Sipas këtyre burimeve, kasaforta është zbuluar gjatë bastisjes së shtëpisë ndërsa e njëjta ende nuk është hapur pasi për hapjen e saj duhet të zhvillohen disa procedura, përfshirë marrjen e disa urdhëresave dhe ftesën e Njësisë kundër Eksplozivëve.

https://kallxo.com/lajm/vrasja-ne-kobra-city-policia-del-me-raport-zyrtar/

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund ti lexoni në këtë LINK.