FOTO DIBRAN HOXHA-FCB

Kush është Dibran Hoxha, pronari i lokalit në Prizren ku ndodhi vrasja e 31-vjeçarit?

Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”, është pronari i lokalit “Kobra City”, në Prizren, ku ndodhi vrasja e një 31-vjeçari nga Kukësi dhe plagosja e një 27-vjeçari.

Rasti tragjik ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit.

Hoxha është emër i njohur për organet e drejtësisë. Ai ka të regjistruara shumë vepra penale, për çka është arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimëmsi për rastet që lidhen me të.

Në prill të vitit 2021, Dibran Hoxha ishte arrestuar për përleshje fizike dhe ishte akuzuar për lëndim të rëndë trupor.

Hoxha ka pasur edhe më herët probleme me ligjin. Në korrik të vitit 2018, KALLXO.com ka raportuar se Hoxha, i cili ishte akuzuar nga Prokuroria e Prizrenit për lëndim të rëndë trupor, ishte liruar nga paraburgimi.

Kjo masë i ishte zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor.

Në gusht të vitit 2018, Dibran Hoxha është nderuar me çmim për merita të veçanta nga kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanovcit, Adnan Salihu.

Hoxha ka qenë edhe roje i valltares Donjeta Kosumi, e njohur me nofkën “Kallashi”.

Në gusht të vitit 2018 kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanovcit, Adnan Salihu, e nderoi me çmimin për merita të veçanta Dibran Hoxhën, njeriun për të cilin emisioni “Drejtësia në Kosovë” më 2015 zbuloi se ka të regjistruara 155 vepra të kundërligjshme.

“Për mua ishte një kënaqësi e veçantë që isha prezent në këtë manifestim ku faktikisht ishin prezentë personalitetet të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare dhe gjithashtu këtu ishin të pranishëm njerëz dhe veprimtarë të lëmive të ndryshme duke filluar nga arti e deri tek ata që i ushqejnë ata që kanë nevojë” – kishte thënë Salihu në një prononcim pas ngjarjes.

Në anën tjetër, “Kobra” ishte zotuar se do të vazhdojë të ndihmojë të tjerët deri “në vdekje”.

Në lokalin “Kobra City” është raportuar edhe më parë për incidente me persona të armatosur.

Në janar të vitit 2016 në këtë lokal sulmues të panjohur kishin sulmuar punëtorë të “Kobra City” dhe i kishin vënë flakën lokalit.

Lokali “Kobra City”  ishte bërë i njohur për shkak të valltares Donjeta Kasumi, e njohur me nofkën “Kallashi”.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për vrasjen e sotme.