Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Vrasja e policit në veri, reagon ambasadori gjerman

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.

Teksa ka ripublikuar postimin e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, Rohde ka thënë se autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të Kosovës, duhet të dalin para drejtësisë.

“Unë e mbështes plotësisht me deklaratën e kolegëve të mi amerikanë. Autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të KOS-it duhet të dalin para drejtësisë”- ka shkruar Rohde.

Ambasadori gjerman thotë se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë, teksa ka shprehur ngushëllime për familjen e policit të vdekur.

“Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policit të vdekur të PK-së dhe për policët e plagosur të PK-së”- ka shtuar Rohde.

Hovenier: SHBA dënon ashpër sulmet e orkestruara e të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Sipas Kurtit, i vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.