Foto: REL/RFE

Hovenier: SHBA dënon ashpër sulmet e orkestruara e të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.

Hovenier thotë se SHBA-të dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit.

Ai shtoi se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”- ka shkruar Hovenier.

Amabsadori amerikan ka thënë se po monitorojnë situatën nga afër dhe se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë.

“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”- është shprehur ambasadori.

Në emër të SHBA-së, Hovenier u ka shprehur ngushëllime për vdekjen e rreshterit të PK-së, i cili u vra në krye të detyrës.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Gjithashtu  urimet e mia për shërim të shpejtë për dy oficerët e plagosur”- ka thënë Hovenier.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Sipas Kurtit, i vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

Leposaviq, vritet një polic i Kosovës, plagoset një tjetër