Foto: N1info.rs

Vrasja e nëntë personave në një shkollë në Beograd, arrestohet një 14-vjeçar

Një nxënës 14-vjeçar është arrestuar nga Policia e Serbisë nën dyshimet se ai ka shtënë me armë zjarri në një shkollë në Beograd, ku të vrarë mbetën nëntë persona, raporton CNN.

Arrestimi i të miturit u bë në oborrin e shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të kryeqytetit serb, ku edhe ndodhi ngjarja.

“Është gjetur dhe arrestuar një nxënës i kësaj shkolle K. K. (2009) i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Në këtë njoftim po ashtu është thënë se të gjitha forcat e policisë janë ende në terren dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave që çuan në këtë tragjedi.

Pamjet nga vendi i ngjarjes mund t’i shihni duke klikuar KËTU.

Tetë nxënës e një roje e sigurimi vdiqën sot pas këtyre të shtënave.

Lidhur me ngjarjen e rëndë është deklaruar edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila ka konfirmuar vrasjen e nëntë viktimave e po ashtu ka thënë se në ngjarje janë plagosur gjashtë fëmijë dhe një mësues.

Rasti raportohet se ka ndodhur në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, e se në vendngjarje ndodhen me dhjetëra autoambulanca dhe ekipe të shumta të policisë.

Në vend ngjarje raportohet të jenë edhe ministrja e Shëndetësisë së Serbisë, Danica Grujiçiq dhe ministri i Arsimit, Branko Ruzhiq.

Pranë shkollës mediat serbe kanë raportuar se gjendet edhe një numër i madh i prindërve të mbledhur, të cilët për momentin po e kanë të pamundur të arrijnë tek fëmijët e tyre.

Raportimet tregojnë se zona për rreth shkollës ku ndodhën të shtënat është e bllokuar, e po ashtu është bllokuar edhe hyrja për në rrugën “Kralja Milutin”, ku ndodhet shkolla.

Nëntë të vrarë në një shkollë në Beograd, dyshohet se një i mitur qëlloi me armë zjarri mbi ta