Vritet një grua në Prishtinë

Një grua ka mbetur e vdekur si pasojë e të shtënave më armë zjarri sonte rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, viktima është hasur pa shenja jete brenda një veture.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasur një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”- ka thënë ajo.

Sipas Ahmetit, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim  dhe  ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”- ka thënë ajo.