(Arkiv) Pamje nga protesta për Liridona Ademajn - Foto: KALLXO.com
Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli intervistohet nga Prokuroria
Sot para Prokurorisë së Prishtinës, në Departamentin për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt është dëgjuar Naim Murseli.
Ai dyshohet në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt në rolin e organizuesit.
I pandehuri Naim Murseli është bashkëshorti i viktimës.
“I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale” – ka thënë për KALLXO.com avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku.
Deklarimi i të pandehurit është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit të punës të Prokurorisë.
Deklarimi i Naim Murselit do të vazhdojë më 1 shkurt.
Liridona Ademaj është vrarë me armë zjarri më 29 nëntor 2023.
Lidhur me vrasjen e saj janë arrestuar 3 persona: Naim Murseli (bashkëshorti i saj) dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.
Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim që nga 3 dhjetori i vitit të kaluar.
Çka thotë dosja e Prokurorisë për tre të dyshuarit?
Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.
Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.
Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.
“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.”
Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin.
Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.
Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.
Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të vitit 2023 rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”
Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.
Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshihet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.
Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.
(Ky artikull është edituar në pjesën e titullit dhe dyshimin për veprat që janë kryer)