Foto: KALLXO.com

Vrasja e Albert Krasniqit, ndaj babait të tij ngrihet aktakuzë për vrasje nga pakujdesia

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit S.K. për vrasjen e Albert Krasniqit.

Avokati Ramiz Krasniqi për KALLXO.com ka konfirmuar se është ngritur aktakuza ndaj klientit të tij S.K., nën dyshimin se ka kryer veprën penale – vrasja nga pakujdesia.

“Po, është e saktë, është ngritur aktakuzë për veprën penale – vrasje nga pakujdesia. Aktakuzën ende nuk e kemi marrë, por e konfirmoj se është ngritur aktakuza”, tha avokati Krasniqi.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me vrasjen e cila kishte ndodhur më 27  janar të këtij viti, ku Albert Krasniqi kishte mbetur i vdekur në rrugën “Ndue Përlleshi” në Prishtinë.

Dyshimet e para për këtë vrasje ishin se babai për motive të panjohura kishte vrarë djalin e tij, Albert Krasniqin.

Dorasi kishte vrarë viktimën në garazhin e një objekti banesor.

Pas kësaj, Gjykata e Prishtinës të dyshuarit S.K. ia kishte caktuar masën e paraburgimin për vrasjen e djalit të tij.

Lidhur me këtë çështje, më 28 janar 2021 avokati i S.K., i dyshuar për vrasjen e djalit Albert Krasniqi, kishte thënë se i mbrojturi i tij ka deklaruar se vrasja ka qenë aksidentale.