Vrasja në Prishtinë, Prokuroria jep detaje

Një person ka mbetur i vdekur sonte në rrugën “Ndue Përlleshi” në Prishtinë. Dyshimet e para janë se babai ka vrarë djalin e tij, A.K.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Lauretë Ulaj, për KALLXO.com ka thënë se i dyshuari është ndaluar.

Ulaj deklaroi se në këtë fazë mund të deklarojnë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.

“Lidhur me rastin ne fjale ju njoftojmë se prokurori kujdestar i Departamentit te Krimeve te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë”. Prokurori i Shtetit, ka ndaluar një të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obdukim. Ne bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për zbulimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, ka thënë Ulaj.

Ende nuk është e qartë se për çfarë motivi u krye ngjarja ndërsa KALLXO.com mëson se ka qenë babai i cili ka lajmëruar Policinë pas kryerjes së veprës.

KALLXO.com ka raportuar drejtpërdrejt para objektit ku ka ndodhur edhe rasti.

Dorasi ka vrarë viktimën në garazhin e një objekti banesor.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndodhur vrasja duke mos dhënë detaje shtesë për shkak se janë në fazën fillestare.

“Menjëherë pas marrjes së informatës Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Aktualisht jemi në fazen fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit të vendngjarjes në funksion të ndriçimit të plotë të ketij rasti ”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Florie Ahmeti.