Shaban Gogaj - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Agonis Tetajt, familjarja e Shaban Gogajt pretendon se policja shtoi në deklaratë fjalë që ajo s'i ka thënë

Në seancën e dytë të rigjykimit të Shaban Gogajt, i cili po akuzohet se ka vrarë Agonis Tetajn duke e qëlluar me armë zjarri, janë dëgjuar pesë dëshmitarë.

Azgon Hadërgjonaj, Faruk Zukaj, Ngadhnjim Gjikollaj, të cilët momentalisht janë punëtorë në kompaninë “Gogaj Ag”, kanë thënë se qëndrojnë në tërësi pranë deklaratave të dhëna më herët në shqyrtimet gjyqësore, në Prokurori dhe para hetuesve policorë.

Edhe dëshmitarja Natyra Melaj tha se qëndron prapa deklaratave të dhëna më herët.

Për dallim nga katër dëshmitarët e lartcekur, dëshmitarja Florentina Melaj, tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici, kurse  qëndron pranë asaj të dhënë në Gjykatë.

Kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, se cila është arsyeja që nuk qëndron prapa deklaratës së dhënë në Polici, dëshmitarja u përgjigj se hetuesja policore në deklaratë ka shkruar gjëra të cilat ajo nuk i ka thënë.

“Jo, se e kam cekë edhe në deklaratën e fundit që e kam dhënë para juve, që deklaratën në polici nuk i rri mbas. Policja atje që më ka marrë në pyetje, ka shkruar fjalë që unë nuk i kam folë”- u përgjigj dëshmitarja.

Në këtë rast të ftuar në cilësi të dëshmitarëve për të dëshmuar ishin edhe familjarët e të ndjerit Agonis Tetaj, por ata përmes një shkrese në seancat e mëparshme kanë lajmëruar që nuk do ndjekin gjykimin e këtij rasti.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet me 16 nëntor.

Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur me 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.

Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.

Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.