Seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogajt
Vrasja e Agonis Tetajt - Dëshmitari: Të ftohen për të dëshmuar kryetari i komunës dhe ish-komandanti i Policisë
Tre dëshmitarë dhëanë versionet e tyre për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt që kishte ndodhur në vitin 2018, rast për të cilin i akuzuar është Shaban Gogaj.
Fillimisht me dhënien e dëshmisë filloi, Agron Hasani, zëvendësdrejtor rajonal i Policisë në regjionin e Pejës, për t`i hapur rrugën për dhënie të dëshmisë, Ymer Hylajt, hetues i rastit në atë kohë dhe krejt në fund për ta përmbyllur seancën me dëshminë e tij u ftua Petrit Mazrekaj, zyrtar policor në Deçan.
Hasani u deklarua se qëndron prapa deklaratës së dhënë para trupit gjykues në vitin 2021, këtë dëshmi i njëjti tha se e ka dhënë pa presion dhe pa ndikim.
I njëjti tha se nuk ka përpiluar raport për rastin pasi që në praktikë, hetuesi, mbikëqyrësi i hetuesit ose fornezika e bëjnë përpilimin e raportit të vendit të ngjarjes.
“Jo s’kam përpiluar raport unë, nuk është praktikë, ngase këtë e bën hetuesi, mbikqyrësi i hetuesit edhe forenzika”- tha Hasani.
Hasani për fund kishte një propozim interesat, që të ftohet për të dëshmuar ish-komandanti i stacionit policor në Deçan dhe kryetari i komunës duke mos përmendur emra.
Arsyeja sipas dëshmitarit për këtë propozim del të jetë deklarimi që kishin bërë kryetari i komunës dhe ish-komandanti i policisë për vrasjen duke thënë “ishte vrasje aksidentale”.
“Arsyeja pse e dhash këtë propozim është sepse këta kanë dhënë deklarime publike të nesërmen se “vrasja ka qenë aksidentale”- tha dëshmitari.
Këtë propozim të tij e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, Besnik Berisha.
Pas Hasanit dëshminë e tyre e vazhduan, Ymer Hylaj i cili është pensionuar dhe Petrit Mazrekaj.
Hylaj u deklarua se si hetues në atë kohë kishte përpiluar raportin e vendit të ngjarjes dhe i njëjti tha se qëndon prapa dëshmisë së dhënë në Gjykatë në vitin 2021.
“Atëherë e kam thënë të vërtetën, tash qëndroj prapa saj”- tha Hylaj.
Deklarim të ngjashëm lidhur me deklarimin e tij në gjykatë kishte edhe Mazrekaj duke thënë se qëndron në tërësi prapa dëshmisë së tij të dhënë më parë në këtë gjykim.
”Jo, jo plotësisht e imja me sinqeritetin ma t’madh”- tha Mazrekaj.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm prindërit e viktimës, Nurie Tetaj dhe Isuf Tetaj e as përfaqësuesi i tyre Berat Tmava.
Në seancën e 11 dhjetorit të këtij viti palët në procedurë ishin pajtuar që deklaratat e tyre të konsiderohen të lexuara. Propozim për të cilin ende pritet të vendos trupi gjykues në përbërje prej Violeta Husaj- Rugova në cilësinë e kryetares, Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu – anëtarë.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 31 janar të vitit 2024.
Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.
Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.
Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.
Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.