Vrasja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu, dënohen dy të miturit

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të mitur, më 23.05.2024 ka marrë vendim duke shpallur fajtorë dy të miturit për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Luzlim Fejzullahu.

Gjykata në Prishtinë ka dënuar me 19 vite dënim me burgim dy të akuzuarit e këtij rast për vrasje të rëndë.

Njëri i mitur është dënuar me 10 vite dënim me burgim, kurse i mituri i dytë, me 9 vite dënim me burgim.

18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, vdiq më 20.01.2024, gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga të dyshuarit në Podujevë.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast është bërë më 23.05.2024 dhe është mbajtur i mbyllur pasi që në rast janë të përfshirë të miturit.

Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, kishte treguar për KALLXO.com se te viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj me mjete të forta (shkop druri).

Për rastin në fjalë Inspektorati Policor i Kosovës kishte treguar se kanë filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.

Në një video-incizim, që është publikuar në rrjete sociale, është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë e më pas dy personat që ishin në veturë dalin dhe e godasin me mjete të forta.

Për këto pamje të publikuara kishte reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, i cili ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë.

Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë.

Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.