Vrasja e të riut në Podujevë, IPK nis hetimin për mënyrën e trajtimit të rastit nga ana e policisë 

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se tashmë ka nisur hetimin për të zbardhur rastin e trajtimit të rastit të të riut Lulzim Fejzullahu nga Podujeva. 

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK thotë se kanë nisur hetimin preliminar për rastin deri sa shton se janë duke grumbulluar raportet e provat për të shikuar nga fillimi trajtimin e rastit nga Policia në drejtim të zbardhjes së rastit që kishte ndodhur më 14 janar në Podujevë mes disa të rinjve. 

Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur  me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”- thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com. 

Një vrasje në tentativë e cila ishte regjistruar më 14 janar 2024, e që në këtë rast Policia e Kosovës kishte njoftuar se ishte therur me thikë një person ndërsa dy persona të dyshuar ishin arrestuar po del se nuk ishte zhvilluar në këtë mënyrë. 

Kjo pasi që në këtë rast nuk po dyshohet se ka pasur therje me thikë por rrahje brutale ndaj një të riut me mjete të forta (shkop druri). 

Kështu të paktën ka konfirmuar për KALLXO.com edhe shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka. 

Ai tha se në asnjë dokument të trajtimit të të riut Lulzim Fejzullahu nuk ka apo nuk përmendet ndonjë lëndim – prerje me thikë. 

Në anën tjetër, në raportin ditor të Policisë së Kosovës të datës 15 janar thuhet se rasti ishte cilësuar si vrasje në tentativë ndërsa për të riun policia ka thënë se ishte therur me thikë. 

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti poliçor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”- thuhet në raportin policor të 15 janarit 2024. 

Nga një video-incizim që është publikuar në rrjete sociale është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë nga dy persona të dyshuar e më pas ndaj të njëjtit kishin filluar ta godisnin me mjete të forta. 

Në bazë të raportit të shpejtë të cilin e ka siguruar KALLXO.com, e që është shkruar nga zyrtarët policorë që i janë përgjigjur rastit nuk përmendet fare rrahja e të riut. 

Në raport thuhet se ngjarja ka ndodhur më 14 janar 2024 dhe është raportuar rreth orës 13:5 minuta. 

Koha kur është shkruar raporti në bazë të dokumentit që ka siguruar KALLXO.com thuhet se është 19:55 në mbrëmje. 

Në raport thuhet se njësitë policore dhe emergjenca kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë marrë personin e lënduar dhe është dërguar fillimisht në QKMF në Podujevë e më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm nën përcjelljen e njësive policore. 

Tutje në lidhje me rastin në dokument thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e hetimeve dhe forenzika rajonale. 

Në raportin e shpejtë nuk përmendet se si janë identifikuar dy të dyshuarit ndërsa thuhet për të njëjtit se janë intervistuar edhe në praninë e punëtorit të QPS-së e më pas janë dërguar në ndalim për 24 orë.

Gjithashtu në dokument përmendet edhe fakti se është njoftuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda, prokurori/prokurorja kujdestare ka urdhëruar që të iniciohet rasti vrasje në tentativë. 

Tutje pasi janë identifikuar të dyshuarit gjithmonë sipas raportit të policisë, thuhet se është njoftuar prokurori kujdestar për të mitur e që i njëjti ka urdhëruar që të iniciohet vepra penale vrasje e mbetur në tentativë.