23-vjeçari dyshohet se rrëmbeu një person dhe kërkoi nga familja 30 mijë euro për lirimin e tij

Policia ka bërë ta ditur se ka arrestuar një 23-vjeçar, i dyshuar për rrëmbim të një personi në Prishtinë.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se një i dyshuari me inicialet SH.K., ka rrëmbyer një person për lirimin e të cilit ka kërkuar 30 mijë euro nga familjarë të viktimës.

“Rasti është raportuar sot rreth orës 18:30, ku personi i dyshuar ka rrëmbyer një person, për lirimin e të cilit nga familjarët e viktimës ka kërkuar një shumë parash (30,000 euro)”- ka thënë Ahmeti.

Sipas psaj, arrestimi i 23-veçarit dhe lirimi të rrëmbyerit është bërë nga zyrtarët policor të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në asistim të Njësitit për Reagim të Shpejtë.

“Sh. K., mashkull 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dhe lirimi i viktimës (në gjendje të mirë shëndetësore), është bërë pak minuta pas raportimit  si rezultat i një pune intenzive hetimore, të cilën zyrtarët policor e kanë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit”- ka thënë zëdhënësja Ahmeti.

Ajo ka thënë se policia ka bastisur edhe lokacioni ku është mbajtur i rrëmbyeri (viktima) dhe ka gjetur dhe sekuestruar: 1 armë, 1 thikë, 1 sëpatë si dhe gjësende të tjera.

Sipas saj me vendim të prokurorit është konfiskuar edhe një veturë.

Aktualisht, ka shtuar Ahmeti, hetuesit policorë në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke kryer veprimet e nevojshme procedurale.