Famullitari i Katedrales së Prishtinës, Don Agim Qerkini
Famullitari i Katedrales së Prishtinës viziton BIK-un: Festat tona janë dëshmi e tolerancës së popullit tonë
Famullitari i Katedrales së Prishtinës, Don Agim Qerkini, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, dhe në emër të Ipeshkvit të Kosovës u ka uruar këtë fest të gjithë besimtarëve të fesë islame.
I pritur nga Myftiu Naim Tërnava, Qerkini tha se festat tona janë dëshmi e mrekullueshme e tolerancës dhe mirëqenies në popullin tonë.
“Ne festojmë së bashku gjithmonë festat tona sepse ato janë një shembull e dëshmi e mrekullueshme jo vetëm e tolerancës, por edhe e mirëqenies në popullin tonë- shoqërinë tonë” – ka thënë ai.
Qerkini përkujtoi edhe ata që kanë pësuar gjatë luftës në Kosovë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.
Ai po ashtu përmendi ndeshjen e mbrëmshme të futbollit mes Shqipërisë dhe Italisë duke thënë se festa e Bajramit filloi mbrëmë me golin e shënuar ndaj Italisë, megjithëse shtoi se “ai gëzim nuk zgjati shumë”, duke qenë se Shqipëria humbi me rezultat 2:1.