Albin Kurti për urime për festën e Bajramit në BIK / Foto: Zyra e Kryeministrit
Liderët politikë vizitojnë Bashkësinë Islame, urojnë për solidaritet dhe unitet
Liderë politikë kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës për nder të festës së Kurban Bajramit.
Myftiu Naim Tërnava priti në objektin e BIK-ut, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Mitrovicës së Jugut, njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën.
“Kurban Bajrami është festë që të mirat familjare i ndajmë me miqtë e fqinjët dhe me të varfrit. Ndajmë edhe kohë, dashuri, mirësjellje e dashamirësi me të gjithë” – ka thënë Kurti, me rastin e kësaj vizite.
Ai ishte i shoqëruar edhe nga ministrat Albulena Haxhiu, Ejup Maqedonci, Hajrullah Çeku dhe Arben Vitia.
Liderët e partive politike, ndërkaq u shoqëruan nga deputetë të subjekteve përkatëse.
Haradinaj tha se shqiptarët duhet të jenë pranë njëri-tjetrit, me sakrificë e solidaritet.
Hamza i PDK-së ka bërë thirrje për paqe dhe unitet, ndërkaq Abdixhiku tha se një shoqëri që beson në Zot, që përkujdeset për familjen, për atdheun e vendin është shoqëri me prosperitet.