Rasti 'Çekiçi', Emin Beqiri duke dëshmuar në gjykatë - 21.05.2021 - FOTO: Era Hasani - KALLXO

Eprori i Policisë Emin Beqiri tregon me kërkesë të kujt kishte dalë në vendin e ngjarjes në ditën kur ishte vrarë Naim Hajrizi më 2009-ën

Eprori policor, Emin Beqiri ka dëshmuar sot në Gjykatën e Prishtinës, për rastin e vrasjes së Naim Hajrizit në vitin 2009 në Lipjan.

Në rastin që njihet si “Çekiçi”, Gëzim Retkoceri akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit Naim Hajrizi.

Në seancë pati përballje të forta fjalësh mes palëve, kur dëshmitari Emin Beqiri mohoi se e kishte takuar ndonjëherë tani të akuzuarin Gëzim Retkoceri, pasi i njëjti thoshte të kundërtën.

Beqiri si dëshmitar në seancë është ftuar nga mbrojtja e të akuzuarit, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila i parashtroi pyetje të shumta, mirëpo ajo që më së shumti zgjoi debat ishte se a po e thotë të vërtetën dëshmitari Beqiri.

“Jeni profesionist si zyrtar policor me përvojë e me grada, do të ju pyes a e keni thënë të vërtetën sa herë keni deklaruar si dëshmitar”, pyeti avokatja Kelmendi.

Pas kësaj pyetje dëshmitari deklaroi se ndihet i fyer nga ana e avokates por përsëri vazhdoi të përgjigjej.

“Unë po e ndiej veten të fyer, integritetin tim nga ana e avokates Kelmendi jo vetëm nga fakti që jam nën betim por në vitet e mia e me përvojën time kurrë në jetë askënd se kam gënjyer, e kam kulturë dhe edukatë familjare e hiç mos të dal në anën profesionale dhe pozitën që e kam”, u përgjigj dëshmitari Beqiri.

Edhe pse avokatja nuk e konsideroi pyetjen e saj si ofenduese përsëri kërkoi falje që sipas saj nuk ishte e sinqertë aspak.

“Më vjen keq që po ndiheni i fyer, edhe pse s’ju fyeva, po nëse qenkeni fyer,  jo fort sinqerisht,  por ju kërkoj falje”, tha Kelmendi.

Duke shtuar më tutje, se dëshmitari nuk sqaroi aspak atë për të cilën ishte ftuar në seancë, rolin e tij në hetim të rastit.

“Nuk keni sqaruar asgjë, e di që jeni pika e dobët e këtij rasti dhe gjithmonë kërkoni ndihmë me sy nga prokuroria”, deklaroi avokatja.

Dëshmitari pretendon se atij si drejtor rajonal në atë kohë nuk i kishte takuar të kryente hetimet, mirëpo ka shkuar në vend ngjarje, shumë shkurt, vetëm se drejtori gjeneral policor i asaj kohe, Behar Selimi, i kishte kërkuar ashtu.

Ky rast nga Apeli me ankesë nga palët është kthyer dy herë në rigjykim.

Gëzim Retkoceri po akuzohet se me datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e me qëllim që të fshehën gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.  Ndërsa, Retkoceri  në gjykimin paraprak ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja andaj tani edhe është duke u rigjykuar.

Dëshmon polici që hetoi vrasjen në rastin “Çekiçi” në Lipjan