Viola von Cramon

Von Cramon për zgjedhjet në Serbi: Nevojitet mbikëqyrje ndërkombëtare dhe hetim i plotë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka thënë se ka qenë pjesë e vëzhguesve nga Parlamenti Europian në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Serbi.

Sipas saj, zgjedhjet u zhvilluan më parregullsi të shpeshta.

Lidhur me ketë, ajo ka thënë se nevojitet mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë.

“Unë kam qenë anëtare e delegacionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në Serbi ku së bashku me kolegët e mi kam vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare kombëtare. Zgjedhjet serbe u mbajtën në kushte të pabarabarta të lojës dhe u zhvilluan me parregullsi të shpeshta në dhe para ditës së zgjedhjeve, si keqpërdorimi i burimeve administrative, blerja e votave dhe cenimi i fshehtësisë së votës” – ka shkruar ajo në platformën ‘X’.

Ndërsa ka thënë se kanë dëshmuar raste të sjelljes së votuesve nga Republika Srpska në mënyrë të organizuar.

“Ne dëshmuam raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat në BE, i cili negocion anëtarësimin në BE. Nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë” – tha ajo.

Tutje ka shtuar se Parlamenti Europian është i gatshëm të ndërmjetësojë mes partisë në pushtet dhe opozitës në Beograd për të siguruar dialogun paqësor dhe demokratik për të ulur tensionet.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deklaroi të hënën se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i Presidentit, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë minuar procesin zgjedhor në tërësi.”

Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.”

Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka reaguar pas raportimeve të OSBE-së.

Sipas MPJ-së, kjo është e papranueshme për një vend me status të kandidatit për Bashkimin Europian.

“Serbia ka votuar, por OSBE raporton keqpërdorime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votës. Kjo është e papranueshme për një vend me status të kandidatit për BE”- shkruan Ministria federale gjermane e Punëve të Gjermanisë në rrjetin social “X”.

Ndërsa, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar të hënën në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në kryeqytetin serb më 17 dhjetor.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” e thirri këtë protestë, pasi pretendon se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Beograd “është rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve”.