Vjosa Osmani viziton fabrikën për prodhimin e dronëve në Stamboll

Presidentja e vendit po qëndron sot në një vizitë zyrtare në shtetin e Turqisë pas ftesës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Osmani gjatë vizitës ka qenë në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, ka shkruar Osmani.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Osmani do të zhvillojë takime me odat ekonomike, prodhues industrial, përfaqësues biznesesh si dhe me komunitetin shqiptar të Turqisë.

“Në këto takime po shoqërohem nga një delegacion i bizneseve kosovare për t`i parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit me bizneset turke. Ndërkaq në vazhdimin e vizitës, në Ankara, do të takohem me presidentin Erdogan, ku përveç diskutimit për marrëdhëniet aktuale, do të shihen edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit. Përveç me presidentin Erdogan, do të takohem edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit turk”, ka shkruar Osmani.