Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani pritet të mbajë konferencë pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pritet që të enjten pasdite të mbajë një konferencëe për media.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar i kryeparlamentares Osmani.

Kupina shtoi se për kohën e saktë të adresimit të Osmani, do të ketë njoftim paraprak.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, pritet që përkohësisht ta marrë detyrën e Presidentit të Kosovës.

Pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, posti i presidentit të Kosovës sipas Kushtetutës përkohësisht duhet të ushtrohet nga Kryetarja e Kuvendit.

Neni 90 i Kushtetutës parasheh se Kryetarja e Kuvendit mund ta ushtrojë këtë pozitë më së shumti 6 muaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Pas njoftimit për ngritjen e aktakuzës nga ana e Speciales në qershor të këtij viti, Thaçi ishte zotuar se do të jap dorëheqje nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do të lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha presidenti në konferencën për media në Prishtinë.

Speicalja ia ka konfirmuar aktakuzën edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor të këtij viti, kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.