Vjosa Osmani flet për “skandalin” e njohjes nga Xhamajka

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Komunën e Gjilanit ka folur pas demantimit të lajmit për njohjen e Kosovës nga shteti i Xhamajkës.

Ajo në një konferencë për media të cilën e ka mbajtur se bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se është duke pritur një sqarim zyrtar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme për atë se çfarë ka ndodhur.

“Ne jemi duke e pritur një vlerësim zyrtar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë çfarë ka ndodhur. Si Kuvend jemi bazuar në informatën zyrtare dhe tani për tani duhet të jemi shumë të kujdesshëm në deklaratat tona deri në sqarimin përfundimtar të situatës”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se përkundër informatave për një njohje nga një shtet situata mund të ndryshojë.

“Si person që është marrë një kohë të gjatë me çështjen e njohjeve mund t’ju siguroj se përkundër faktit se vjen informata në ndërkohë për shkak të ndërhyrjeve të shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës situata ndryshon por nuk dua të jap deklarata pa marrë një sqarim përfundimtar për atë që ka ndodhur. Në momentin që vjen kjo deklaratë unë do të deklarohem në emër të Kuvendit”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje ka folur për vizitën e saj në Gjilan pas tragjedisë e cila ndodhi tri ditë më parë ku një zyrtare policore dyshohet se vrau katër anëtaret e familjes së saj e më pas bëri vetëvrasje.

“Kam ardhë sot që së bashku të ndajmë dhimbjen për tragjedinë e Gjilanit që ka prekur zemrat e të gjithë qytetarëve, e poashtu për të ofruar bashkëpunimin tim dhe të Kuvendi të Kosovës, për të hapur rrugë të reja për ndërtimin e raporteve ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim me komunat dhe raporte të sinqerta sepse janë pikërisht komunat që përballen me problemet më imediate”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se shpreson se kjo vizitë do të shërbejë si një hap i mirë drejtë intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se vizita nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës është njëra nga vizitat më të rëndësishme në 15 vitet e fundit pasi që nuk ka pritur asnjëherë kryetar të Kuvendit.

Pas demantimit të lajmit për njohjen e Kosovës nga shteti i Xhamajkës, Presidenca e Kosovës ka sqaruar sesi ka rrjedhur lajmi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga Zyra për media e Presidencës thotë se rreth këtij vendimi të diplomacisë së Xhamajkës, duhet drejtuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Pasi që sipas tyre ky vendim ka shkruar edhe në ministri por edhe tek Qeveria e Kosovës.

”Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Tëitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigje.

Lajmi për njohjen e Xhamajkës është bërë i ditur mbrëmë, ndërsa kreu i shtetit i dha meritat ambasadores Vlora Çitaku dhe senatorit amerikan Eliot Engel.

Kamina Smith, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, ka reaguar mëngjesin e sotëm në Tëitter duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, shkroi ajo duke iu përgjigjur presidentit Hashim Thaçi.

Ministrja e Jashtme e Xhamajkës: Nuk e kemi njohur Kosovën