Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. FOTO: KALLXO.com

Vitia: Janë ndarë mbi 1.5 milion euro për aparaturat për Fertilizim të Asistuar Mjekësor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan sot Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik.

Deri më tash në QKUK nuk është kryer një proces i tillë, andaj është bërë vetëm në institucione private, brenda dhe jashtë shtetit.

Në konferencën për media presidentja Osmani theksoi rëndësinë që ka ky shërbim, duke shtuar se deri tani një shërbim i tillë u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës rreth 5 milionë euro.

“Klinika e gjinekologjisë do të fillojë të ofrojë shërbime të njohura si Fertilizim të Asistuar Mjekësor, një shërbim që çifteve në republikën tonë deri tani u ka kushtuar diku rreth 5 milionë euro dhe që tani e tutje pas procedimit dhe me blerjen e aparaturave e cila siç diskutuam edhe me ministrin pritet të përfundojë gjatë këtij viti” – potencoi Osmani.

Presidentja u shpreh se ky repart do të mund të ofrojë shërbime jashtëzakonisht cilësore për çiftet e reja që dëshirojnë të bëhen prindër.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se për aparaturat për këtë shërbim janë ndarë mbi 1 milion e gjysmë euro.

“Nga Ministria e Shëndetësisë tash janë ndarë mbi 1 milion e gjysmë euro për kompletimin e aparaturave që gjatë këtij viti çiftet nga republika e Kosovës të kenë mundësi që këtë shërbim kaq të domosdoshëm të kenë mundësi ta marrin pa para edhe në klinikën e gjinekologjisë”.

Ndërkaq, Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK tha se ky repart është i përfunduar nga ana infrastrukturore dhe që presin vetëm investimet ose sjelljen e aparaturave që të fillojnë punën.

“Ne premtuam se nga ana jonë puna do të fillojë sa më shpejtë dhe jemi të gatshëm. Brenda këtij viti besoj që do të fillojmë punën dhe do të mbesin të kënaqur edhe pacientët me këtë shërbim që është shumë i rëndësishëm për popullatën tonë dhe shumë i nevojshëm ku e dimë që është një procedurë mjekësore shumë e shtrenjtë dhe do të kursejë shumë buxhetin e popullatës”– u shpreh Ndrejaj.

Javë më parë Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, kishte ngjallur debat mes deputetëve në seancë.

Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
FOTO: KALLXO.com
Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
FOTO: KALLXO.com

Bogujevci thotë se i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca