Bogujevci thotë se i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca

Në Kuvendin e Kosovës është diskutuar sot për Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, i cili ka ngjallur debat mes deputetëve në seancë.

Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, tha se ky është një ligj i rëndësishëm dhe tregoi se përderisa nuk ka qenë në ndonjë lidhje martesore i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca.

“Në aspektin kur i rregullojmë gjërat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinuar ne si gra qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë, diçka që nuk parashihet me pjesën e burrave. Dua të jem e sinqertë dhe ta them publikisht këtë pjesë se unë përderisa nuk kam pasur mundësinë të jem në lidhje, apo lidhje martesore, kam dashur të bëhem nënë. Dhe, unë duhet të jem e limituar, në bazë të asaj që e the, vetëm pse një shoqëri mendon se një normë duhet të jetë në një formë të caktuar. Dhe përderisa kam dashur të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi se çka ka ofruar shkenca për të ma mundësuar këtë të drejtë, e jo të ma determinojë një burrë, që unë duhet doemos të kem një burrë, me të cilin martohem, për të pasur mundësinë të bëhem nënë…” – tha ajo.

Sipas saj, nuk duhet të miratohen ligje dhe të krijohen rregulla që i kufizon gratë në çdo aspekt.

“Ka ardhur koha t’i lëmë gratë rehat dhe të vendosin për veten e tyre pa i cenuar vlerat shoqërore” – tha ajo.

Kjo deklaratë e Bogujevcit erdhi pas fjalimit të deputetit të LVV-së, Eman Rrahmani i cili tha se duhet të rishikohet projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.

“E drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara. Pati edhe çështje të tjera. Unë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë diskutim prandaj do të kërkoja nga ministri ta tërheqë dhe ta diskutojë për vërejtjet” – tha deputeti Rrahmani.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji në fjalë nuk bie në kundërshtim as me Ligjin për familje as me Ligjin për shëndetësi, e as me Kodin Civil.

“Ky ligj ka rendësi të veçantë. Në asnjë vend nuk ka pasur kundërthënie me asnjë ligj. Me vërejtje ose jo, në fund ju do ta votoni, por këto që u ngritën këtu nuk qëndrojnë” – tha ministri Vitia.

Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti tha se i del në mbështetje fjalimit të deputetes Saranda Bogujevci.

“Askush nuk ka të drejtën t’ia heqë të drejtën dikujt që të bëhet nënë. Familja nuk e ka vetëm një formë dhe asnjë familje nuk i ka anëtarët e njëjtë” – tha deputetja Tinka Kurti.

Kuvendi i Kosovës, nuk pati kuorum për miratim të këtij ligji, pasi nuk kanë marrë pjesë të gjithë deputetët në votim.

(Shënim: Ky tekst është e edituar në titull dhe në citatin e deputetes Saranda Bogujevci)