Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia flet për dorëheqjen e ish-drejtorit të Auditimit në QKUK që iu dogjën dy vetura: I kemi ofruar siguri

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i pyetur nga KALLXO.com se a ka dështuar shteti që t’i ofrojë siguri ish-drejtorit të Auditimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Musa Vitijës, tha se kanë qenë të gatshëm që t’i ofrojnë të gjithë sigurinë e nevojshme.

Musa Vitija dha dorëheqje më 4 gusht duke thënë se ky institucion nuk i ka ofruar siguri.

“Duke pasur parasysh gjendjen emocionale, materiale, dhe shëndetësore në të cilën jam, pas rrezikut të jetës time nga aktet kriminale të shkaktuara nga kriminelë, hajdutë, abuzues të pasurisë të shoqërisë tonë, e duke parë që institucioni në të cilin kam dhënë kontributin maksimal në mbrojtjen e parasë publike për 16 vite me radhë nuk ka bërë pothuajse asgjë për mbrojtjen dhe sigurimin e hapësirave të vendit të punës, ju njoftoj se: KAM VENDOSUR TË NDËRPRES KONTRATËN E PUNËS ME SHSKUK-në….” – shkruan në letrën e dorëheqjes së tij.

Gjatë vitit të kaluar, ish-drejtorit të Auditimit i ishin djegur dy herë veturat e tij, në parkingun e QKUK-së.

“Disa herë ne si qeveri kemi shprehur se qëndrojmë prapa tij dhe ai për një kohë relativisht të gjatë ka qëndruar në Gjermani dhe në disa kontakte që ka pas me administratën e drejtorinë në SHSKUK është pritur që të kthehet” – u përgjigj ministri në pyetjen e KALLXO.com se a ka dështuar shteti që t’i ofrojë atij siguri.

KALLXO.com ka raportuar se Musa Vitija ka qenë në pushim pa pagesë nga janari 2023 deri në dorëheqjen e tij.

Ministri i Shëndetësisë tha se ai nuk i ka paraqitur shkaqet pse nuk po kthehet, shtoi se sigurisht ato kanë të bëjnë edhe me sigurinë, të cilën sipas tij që nga fillimi i kanë thënë se do t’ia ofrojnë.

“Nga fillimi i kemi thënë se do t’ia ofrojmë sigurinë dhe se do t’i qëndrojmë prapa në punën e tij të palodhshme për gjetjen e çdo problematike, keqpërdorimi apo keqmenaxhimi, siç ka bërë edhe më herët në QKUK”.

Duke u bazuar në bisedat e tij me menaxhmentin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, ministri tha se të gjithë kanë qenë në gjendje që në momentin e kthimit të Musa Vitijës, t’i ofrohej e gjithë siguria që i duhej, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministrin.

“Jo vetëm atij, por secilit person të ndershëm që lufton fenomenet negative dhe i shpërfaq ato ne do të bëjmë maksimumin për t’i ofruar sigurinë e nevojshme për të punuar këtu”.

Tri ditë pas djegies së veturës së dytë të atëherë drejtorit të Auditimit në QKUK, Kryeministri Albin Kurti kishte vizituar SHSKUK-në dhe kishte thënë se Vitija ka gjetur shkelje të shumta të dokumentuara gjatë punës së tij.

Ai pati thënë se këtë vizitë e ka bërë për të shprehur mbështetjen e tij të parezervë.

Sekretari i Bordit, Fahredin Majkovci ka thënë për KALLXO.com se Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi ka kërkuar nga menaxhmenti që pretendimet e Musa Vitijës për mosofrim të sigurisë të shqyrtohen dhe nëse qëndrojnë të merren veprime.