Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyeja e dorëheqjes së ish-drejtorit të Auditimit në SHSKUK, pasiguria në punë pas djegies së veturave të tij

Në letrën e dorëheqjes së ish-drejtorit të Auditimit të Brendshëm në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Musa Vitija ka shkruar se pas rrezikimit të jetës së tij, ky institucion nuk ka bërë pothuajse asgjë për mbrojtjen dhe sigurimin e hapësirave të vendit të punës.

Vitijës i ishin djegur dy herë veturat brenda tre muajve gjatë vitit të kaluar.

“Duke pasur parasysh gjendjen emocionale, materiale, dhe shëndetësore në të cilën jam, pas rrezikut të jetës time nga aktet kriminale të shkaktuara nga kriminelë, hajdutë, abuzues të pasurisë të shoqërisë tonë, e duke parë që institucioni në të cilin kam dhënë kontributin maksimal në mbrojtjen e parasë publike për 16 vite me radhë nuk ka bërë pothuajse asgjë për mbrojtjen dhe sigurimin e hapësirave të vendit të punës, ju njoftoj se: KAM VENDOSUR TË NDËRPRES KONTRATËN E PUNËS ME SHSKUK-në….” – shkruan në letrën e dorëheqjes së tij të datës 4 gusht.

Këtë letër, KALLXO.com e ka pranuar nga Bordi i SHSKUK-së, pasi ka dërguar pyetje për arsyet e dorëheqjes së Vitijës.

Sekretari i Bordit, Fahredin Majkovci shtoi se Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi ka kërkuar nga menaxhmenti që këto pretendime të Musa Vitijës të shqyrtohen dhe nëse qëndrojnë të merren veprime.

Para se të dorëhiqjej, ish-drejtori i Auditimit, ka qenë në pushim pa pagesë që nga janari i këtij viti.

Në kërkesën e tij për pushim pa pagesë për periudhën janar – qershor 2023, ai kishte shkruar “me arsyetimin e sigurisë personale dhe gjendjes shëndetësore të shkaktuara pas zjarrvënies së veturave, pronë e imja më datë 19.08.2022 dhe 07.10.2022 në parkingun e Administratës Qendrore të QKUK/SHSKUK”.

Vitija kishte bërë edhe një kërkesë të dytë më 20 qershor, që pushimi pa pagesë t’i vazhdohej edhe për një muaj, pasi që sipas arsyetimit të tij, gjendej jashtë vendit dhe për shkaqe personale, familjare dhe shëndetësore, nuk ka pasur mundësi të paraqitej në punë siç ishte paraparë.

Të dyja këto kërkesa ishin miratuar nga bordi drejtues i SHSKUK-së.

Pas djegies së veturës së dytë, SHSKUK kishte deklaruar se rasti ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e bordit drejtues të SHSKUK-së ku edhe ishte duke raportuar Vitija.

Tri ditë pas kësaj ngjarjeje, kryeministri Albin Kurti kishte vizituar SHSKUK-në dhe kishte thënë se Vitija ka gjetur shkelje të shumta të dokumentuara gjatë punës së tij.

“Njëherë më 19 gusht dhe pastaj sërish më 7 tetor iu dogj vetura drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës” – kishte thënë Kurti.

Ai pati thënë se këtë vizitë e ka bërë për të shprehur mbështetjen e tij të parezervë.