Vigan Qorolli emërohet zëvendësministër i Drejtësisë

Themeluesi i Zyrës Ligjore Lexis me seli në Prishtinë me ekspertizë në çështjes e së drejtës kushtetuese, civile e tregtare, si dhe njohësi i çështjeve juridike, Vigan Qorolli, është emëruar gjatë ditës së djeshme si Zëvendësministër i Drejtësisë.

Zyra për Komunikim e kryeministrit, ka njoftuar në lidhje me emërimin e Qorollit në këtë pozitë.

“Duke e uruar për detyrën, Kryeministri Kurti i dëshiroi z.Qorrollit suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Qorolli ka qenë edhe kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. KALLXO.com pati raportuar në vitin 2021 se Qorolli i printe listës si më i poentuari për gjyqtar.

KALLXO.com e kishte siguruar fletën e poentimit të të gjithë anëtarëve të komisionit në të cilën Qorrolli ka marrë 9.32 pikë nga 10 të mundshmet.

Qorrolli kishte marrë pikë maksimale nga deputetët Adnan Rrustemi, Mimoza Kusari, Igor Simiq, Besnik Tahiri dhe Erxhan Galushi. Më të njëjtat pikë ishte poentuar edhe nga anëtarët e panelit intervistues Bajram Latifi dhe Aleksander Rapajiq.

Pasi Qorolli dhe kundër kandidati i tij dolën për votim në kuvend, konkursi për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese u deshtë të përsëritej sërish.

Edhe në dhjetor të vitit 2021 zgjedhja e gjyqtarit për Gjykatë Kushtetuese kishte dështuar pasi nuk ishin votat e mjaftueshme.

Qorolli në bazë të biografisë së tij e publikuar edhe në Linkedin, është ligjërues i të Drejtës Ndërkombëtare për Energjinë dhe Mjedisin në Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri në Universitetin e Prishtinës.

Ai është edhe themelues i studios ligjore Lexis e cila ka ekspertizë në çështjet e së drejtës kushtetuese, civile dhe tregtare.

Qorolli studimet e Doktoraturës i ka ndjekur në Universitetin Karl- Franzens në Austri në fushën e së drejtës ndërkombëtare.

I njëjti ka qenë edhe zyrtar për marrëdhënie me publikun në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.