Foto: KALLXO.com

VIDEO: Të dëshpëruarit e basteve

Një qytetar nga rajoni i Gjakovës i dëshpëruar nga shumat e mëdha që kishte humbur ka vendosur të bashkëpunojë me ekipet e emisionit “Drejtësia në Kosovë”, duke treguar ku zhvillohen këto lojëra ilegale.

Pas disa javë hulumtimi në Gjakovë, ekipet e KALLXO.com, arritën që t’i lokalizonin nëntë lokacione në të cilat dyshohej se po ushtrohej kjo veprimtari.

Pas lokalizimit të tyre, hulumtuesit vendosën që me kamera të fshehura të provojnë të vënë baste në këto lokacione në Gjakovë.

Lokalet nga jashtë dukeshin kafene normale mirëpo brenda tyre qëndronte një person pranë një pajisjeje elektronike nga e cila krijonte llogari dhe i mbushte ato me para.

E krijimtaria kishte shkuar edhe më larg, një person kishte vendosur që bastoren ta maskonte si ëmbëltore nga jashtë, ndërsa nga brenda të jepej mundësia që t’i provoje disa forma të lojërave të fatit.

Secila nga këto lokale i kishte klientët e tyre të besueshëm, të cilët shkonin vazhdimisht dhe mbushnin llogaritë online, pastaj nga shtëpia mund të vënin baste.

Hulumtuesit tanë fillimisht vendosen të luanin në lokalin e një ish pjesëtari të UÇK-së. Aty arritën që me sukses ta hapnin një llogari dhe ta mbushnin me para.

Kjo skemë funksiononte edhe në tri lokacione të tjera në këtë komunë.

Në të gjitha këto lokacione dhe me kamera të fshehura hulumtuesit e KALLXO.com kishin arritur të hapnin User dhe të vënin baste.

Katër lokale të tjera të cilat në Gjakovë mundësonin vënien e basteve, funksiononin në formë klasike.

Ato nuk kishin asnjë dallim nga bastoret para mbylljes në Kosovë. Brenda tyre mund të luhej bastore, keno, gara me qen, baste online etj.

Për bastin e vendosur në këto katër lokacione duhet ta merrje tiketën dhe në rast se fitoje të njëjtën duhet ta dorëzoje në vendin ku ke luajtur dhe t’i merrje paratë.

Ekipet tona kishin arritur të fitonin në bastoren e cila nga jashtë dukej si ëmbëltore, si dhe të dorëzonin tiketën dhe të merrnin paratë.

Hulumtuesit e KALLXO.com kishin arritur që edhe në këto lokale të vënin baste, të filmonin dhe të merrnin tiketat për bastet e vendosura.

Të gjitha këto filmime, dhe tiketa do të shërbenin si provë për t’i bindur organet ndjekëse se dukuria e lojërave të fatit vazhdon të jetë prezente dhe shumë e përhapur në Kosovë.

Provat nga Gjakova iu dorëzuan Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës.

Disa ditë më vonë hetuesit e krimit të organizuar kishin arritur që të siguronin vendimin e Prokurorisë dhe Gjykatës për kontrolle dhe bastisje.

Për këtë aksion u përgatiten rreth 100 zyrtar policorë, duke përfshirë hetues dhe njësi speciale operative.

Të ndarë në nëntë ekipe, zyrtarët policor ia mësynë Gjakovës.

Caku i tyre ishin nëntë lokalet në të cilat hulumtuesit e KALLXO.com, kishin arritur që të siguronin prova se në to po organizoheshin lojëra të fatit.

Pas bastisjes së këtyre lokacioneve, rezultatet nuk munguan.

Nën pranga përfunduan të paktën pesë persona, dhjetëra të tjerë janë duke u hetuar, si dhe shumë prova materiale janë sekuestruar.

Pamjet duke luajtur baste në Gjakovë dhe pamjet e aksionit të policisë në nëntë lokalet të ndryshme në këtë komunë janë shfaqur të premten e kaluar në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin mund ta ndiqni në këtë link.