VIDEO - Rrëfimi i dëshimtarit për vrasjen në Skenderaj: Ka shtënë pa marrë parasysh kush ka qenë

Dëshimtari ku ndodhi vrasja e një personi dhe plagosja e tre të tjerve në fshatin Runik të Skenderajt, Musa Gashi ka rrëfyer se si ndodhi rasti në orët e pas mesnatës në kafiterinë e muzikës live.

Gashi tregon se nga këndi ku kishte qenë ai ulur, ka arritur të shohë vetëm një person të maskuar, e që sipas tij, i dyshuari kishte shtënë me “kallashnikov” pa pasur një objektiv të caktuar.

“U kanë ora 1 e 20 e natës, jam kanë t’u pi këtu në lokal edhe ka hi një person, ka shti me kallashnikov, u kanë i maskun edhe e ka pasë një jakne të ushtrisë domethënë me lara. Ka shtënë pa marrë parasysh kush u kanë, çka u kanë. Personi i parë që është rrokë, u kanë kamerieri domethënë u kanë afër derës edhe tjerët, janë kanë edhe 3 të plagosur tjerë” – thotë ai.

Viktima sipas tij është djali i pronarit. Gashi thotë se nuk është në dijeni që kanë pasur probleme me dikë paraprakisht.

“Unë jam kanë në këtë pjesën në anën e djathtë si t’hysh mrena, domethënë nuk kam mujt me pa. Ata që janë kanë drejt me derë, ata kanë pa se sa janë kanë. Ama domethënë krismat e para, të shënat e para që janë kanë, ka gjujt një person me kallashnikov edhe na jemi ra për toke. Ata që janë kanë drejt me derë, ata e kanë pa saktë ngjarjen” – rrëfen Gashi.

N. Loshi, 39-vjeçar, ka mbetur i vdekur dhe tre persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një kafiteri të muzikës live në fshatin Runik të Skenderajt. KALLXO.com sjell fotografi të lokalit ku ndodhi kjo ngjarje.

Në vendin e ngjarjes po qëndron një patrullë e Policisë së Kosovës e cila ka siguruar zonën me shirit të sigurisë.

Vendi ku ndodhi vrasja e një personi dhe plagosja e tre të tjerëve në Runik – Skenderaj – FOTO: KALLXO.com

Ndërkaq, KALLXO.com e ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilët kanë thënë se të dyshuarit janë të paidentifikuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni ka thënë për KALLXO.com se nuk dihet motivi që ka çuar deri në këtë akt.

Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë.

“Prokurori i rastit ka dalë në terren, nga të dhënat e deri tanishme dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafiteri ku nga të shtënat një person ka mbetur i vdekur. Personat e dyshuar janë ende të paidentifikuar dhe në kërkim. Nuk ka ende informacione se cili ka qenë motivi. Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë” – ka thënë Preteni.

Siç ka mësuar KALLXO.com të plagosur kanë mbetur personat me inicialet M. R., F. J. dhe Q. J.

Personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe u përdorën dy armë.

Njëri nga tre personat që u plagosën dje në fshatin Runik të Skenderajt, është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica tregoi se njëri prej pacientëve është në Klinikën Intensive pasi ka pësuar amputim të gjymtyrës.

Jashanica tha se njëri prej pacientëve, i cili ka lëndime në thembër është dërguar në Ortopedi, ndërsa pacienti tjetër, me lëndime në gju pritet të dërgohet në Ortopedi.

Skenderaj: Vrasje si në filma, maskat vrasin në kafiteri