Vjosa Osmani, Foto: Blick.ch

VIDEO - Kjo është intervista e plotë e Vjosa Osmanit për median zvicerane "Blick"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median zvicerane “Blick.ch” deklaroi se të gjithë shtetasit e Zvicrës që kanë udhëtuar drejt Kosovës është dashur që të vaksinoheshin nga autoritetet e këtij shteti.

KALLXO.com e ka siguruar të plotë intervistën e Osmanit dhënë për median e Zvicrës.

E pyetur nga gazetari se: “A ndiheni me faj që njerëzit që janë kthyer nga pushimet në Kosovë e kanë sjellë virusin në Zvicër?”, Osmani ishte përgjigjur duke thënë se është përgjegjësi e autoriteteve zvicerane vaksinimi i të gjithë shtetasve të këtij shteti.

“Ju jeni duke folur për diasporën. Ata janë qytetarë të Zvicrës. Ata do të duhej të vaksinoheshin këtu (Zvicër). Është përgjegjësi e autoriteteve zvicerane të sigurohen që të bëjnë thirrje dhe t’i bindin  të gjithë qytetarët zviceranë, pavarësisht nacionalitetit që kanë, të vaksinohen para se të vijnë në Kosovë. Në fakt Kosova kishte numrin më të ulët të infektimeve deri në muajin gusht dhe vetëm në gusht nisi vala e madhe e infektimeve”, ishte përgjigjur Osmani.

Tutje, presidentja ka thënë se “Ne kemi bërë gjithçka me kapacitetet tona që të marrim vaksinat e nevojshme për t’i bindur njerëzit e Kosovës dhe në mes të këtyre njerëzve që jetojnë në Kosovë, ne kemi pasur shumë interes që të vaksinohen, pra nuk ka refuzim të vaksinës në Kosovë përveç nga një numër shumë i vogël, prandaj kur unë e bëra thirrjen ju drejtova jo vetëm çdokujt në Kosovë, por edhe që çdokush në Zvicër duhet të vaksinohet”.

Ndërkohë, gjatë ditës ka reaguar këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina. Ai tha se deklarimet e presidentes ishin devijuar nga disa media.

“Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!”, kishte shkruar Kupina.

Media zvicerane konfirmon deklaratën e presidentes Vjosa Osmani

www.kallxo.com