Vjosa Osmani, Foto: Blick.ch

Media zvicerane konfirmon deklaratën e presidentes Vjosa Osmani

Në media gjatë ditës së sotme është diskutuar deklarata e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për fajësimin e autoriteteve zvicerane për mërgimtarët e infektuar me COVID-19.

Këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, ka reaguar për intervistën e publikuar në median zvicerane “Blick.ch”, sipas të cilit “deklarimi i presidentes është devijuar”.

“Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!”, ka shkruar Kupina.

KALLXO.com ka kontaktuar me “Blick.ch”. Ata thonë se deklarata e presidentes Vjosa Osmani nuk është devijuar.

Gazetari i “Blick.ch” kishte pyetur presidenten: “A ndiheni me faj që njerëzit që janë kthyer nga pushimet në Kosovë e kanë sjellë virusin në Zvicër?”.

“Ju jeni duke folur për diasporën. Ata janë qytetarë të Zvicrës. Ata do të duhej të vaksinoheshin këtu (Zvicër). Është përgjegjësi e autoriteteve zvicerane të sigurohen që të bëjnë thirrje dhe t’i bindin  të gjithë qytetarët zviceranë, pavarësisht nacionalitetit që kanë, të vaksinohen para se të vijnë në Kosovë. Në fakt Kosova kishte numrin më të ulët të infektimeve deri në muajin gusht dhe vetëm në gusht nisi vala e madhe e infektimeve”, ishte përgjigjur Osmani.

Tutje, presidentja ka thënë se “Ne kemi bërë gjithçka me kapacitetet tona që të marrim vaksinat e nevojshme për t’i bindur njerëzit e Kosovës dhe në mes të këtyre njerëzve që jetojnë në Kosovë, ne kemi pasur shumë interes që të vaksinohen, pra nuk ka refuzim të vaksinës në Kosovë përveç nga një numër shumë i vogël, prandaj kur unë e bëra thirrjen ju drejtova jo vetëm çdokujt në Kosovë, por edhe që çdokush në Zvicër duhet të vaksinohet”.

Vjosa Osmani sot është duke qëndruar në Zvicër dhe ka qenë e ftuar në Forumin Ekonomik të Zvicrës dhe gjithashtu është takuar me presidenti Guy Parmelin.