Fatmire Kollçaku

Vetëvendosje kërkon që qeveria të shfuqizojë vendimin për shuarjen e Task-forcës kundër korrupsion

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se vendimi për shuarjen e Task-forcës dërgon sinjal që luftimi i korrupsionit jo vetëm që nuk është prioritet i qeverisë, por sipas saj po tentohet të pengohet në tërësi.

“Ky vendim i dëmshëm i shërben mirëmbajtjes së sistemit korruptiv të instaluar e të ushqyer nga të gjitha qeveritë para qeverisë Kurti”, tha ajo në Kuvend.

Sipas deputetes së LVV-së, përmendi edhe vjedhjen e 2 milionë eurove në Thesarin e shtetit.

“Edhe ata mekanizmat e vobekt po i sulmon dhe shuan, kjo po bëhet me një shpejtësi dhe një këmbëngulje të pazakontë”, tha ajo, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje në drejtësi.

Para deputetëve ai prezantoi rezolutën e LVV-së, në të cilën mes tjerash kërkohet nga qeveria që menjëherë të shfuqizojë vendimin për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

Në Kuvend po mbahet interpelanca me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së 8 deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga LVV-ja:

  1. Kuvendi kërkon nga qeveria që menjëherë të shfuqizojë vendimin për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës
  2. Kuvendi kërkon nga qeveria që të mos pengojë punën e Task-forcës antikorrupsion
  3. Kuvendi dënon çfarëdo presoni apo ndikimi që ushtrohet nga zyrtarët institucional mbi punën e policisë e sistemit të drejtësisë e që kanë për qëllim pengimin e luftimit të korrupsionit