Veseli: Marrëveshjen Maqedoni-Greqi model për fqinjët

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mbrëmë në mes të Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Veseli ka vlerësuar se kjo marrëveshje shërben si model inkurajues për fqinjët.

“Marrëveshja e arritur për çështjen e emrit është një lajm i jashtëzakonshëm dhe i shumëpritur për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Ajo shërben si model inkurajues për të gjithë popujt fqinj, që t’i zgjidhin problemet e së kaluarës nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Veseli po ashtu ka thënë se është i gëzuar që falë marrëveshjes Republikës së Maqedonisë Veriore po i zhbllokohet rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Përgëzoj gjithashtu bashkëkombësit tanë në këtë shtet për këtë arritje si dhe i falënderoj ata për qëndrimin konstruktiv dhe pro-integrimit që kanë mbajtur vazhdimisht”, ka shkruar kryeparlamentari në Facebook.