Vështirësohet qarkullimi në rrugën Komoran-Drenas pas të reshurave të dendura të shiut. Foto: Komuna e Drenasit/Facebook

Vërshime pas reshjeve të mëdha, vështirësohet qarkullimi në rrugën Komoran-Drenas

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut sot pasdite rruga Komoran-Drenas, përkatësisht në fshatin Zabel i Ulët, është vërshuar nga uji.

Kjo ka bërë që të vështirësohet qarkullimi i automjeteve në këtë rrugë.

Në një njoftim të Komunës së Drenasit është thënë se Komuna disa herë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdohet me projektin e zgjerimit të rrugës, por, sipas njoftimit, tash e më shumë se tre vite, rruga ka mbetur pa përfunduar.

“Lidhur me këtë situatë të krijuar, si pasojë e reshjeve, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci ka marr telefonatë nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për të ndihmuar me Forcat e Sigurisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje njoftohet se për të tejkaluar këtë situatë, zjarrfikësit e Drenasit kanë dalë në vend të ngjarjes dhe pasi që kërkesat kanë qenë të vogla është kursyer angazhimi i FSK-së.