Dita kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore

Veliu: Policia për nëntë muaj ka identifikuar 11 viktima të trafikimit me qenie njerëzore

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se Policia në periudhën janar-shtator të këtij viti ka identifikuar 11 viktima të trafikimit dhe ka arrestuar 59 të dyshuar për këtë vepër penale.

Veliu sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore tha se janë paraqitur 18 kallëzime penale në Prokuroritë përkatës për veprat e trafikimit me njerëz.

“Referuar në statistikat e Kosovës, viteve të fundit ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve të Kosovës” tha ai gjatë konferencës për media.

Veliu tha se Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar në hartimin e strategjisë nacionale anti-trafikim dhe planin e veprimit duke u bazuar në rekomandimet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Bashkimit Evropian.

Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova edhe pse një shtet i ri ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore që ndihmon në luftimin dhe rehabilitimin e kësaj dukurie.

“Është bërë rishikimi i Kodit Penal për t’i ri klasifikuar veprat e prostitucionit të detyruara si trafikim. Gjyqësori ka ulur numrin e përgjithshëm të rasteve të mbetura. Por edhe Gjykata Supreme ka miratuar udhëzime të reja dënimi për rastet e trafikimit” tha Thaçi.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se në Kosovë duhet të rritet kapaciteti veprues kundër trafikimit me qenie njerëzore.

“Kapaciteti  veprues dhe ekspertiza duhet të avancohen në përputhje me zhvillimet e reja në lidhje me këtë dukuri që nuk po njeh kufij” tha Hoti.

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit  e ka paraparë Kosovën si vend të origjinës, tranzitit dhe destinacionit të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.

Sipas raportit Kosova mbetet veçanërisht vend i shfrytëzimit seksual. Në raport thuhet se në vitin 2019 u identifikuan 23 viktima gra/vajza dhe tre viktima burra/djem.

Prej 23 viktimave të trafikimit  15 ishin nën moshën 18 vjeç.