Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Dështon Seanca Për Trafikim, Mungon Prokurori

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarit për trafikim me njerëz Armend Bajrami.

Seanca e cila pritej të mbahej në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka dështuar pasi Gjykatësi Burim Ademi njoftoi se prokurori Njazi Rexha nuk ishte i pranishëm në seancë.

Prokurori kishte njoftuar gjykatën se kjo çështje penale kishte kaluar nën kompetencën e prokurorisë së EULEX– it.

Në mungesë të kushteve ligjore gjykimi për këtë rast është shtyrë  derisa gjykata të konstatoj se cila prokurori do ta përfaqësoj këtë aktakuzë.

Ndryshe Armend Bajrami nga ish Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë akuzohej se në nëntor të vitit 2008 ka kryer veprën penale të trafikimit me njerëz.

Sipas aktakuzës i pandehuri pasi që ka rënë në kontakt me personin L.B. nga Serbia, i nwjti ka dhënë 10.000 dinarë që të kontaktojë me të dëmtuarën S.U. ku nëpërmjet saj e dëmtuara është transferuar në Mitrovicë.

I akuzuari Bajrami kishte strehuar të dëmtuarën, duke e mashtruar se do të jetojë me të në bashkësi familjare, duke i propozuar që pas një kohe të ketë marrëdhënie seksuale edhe me persona të tjerë me qëllim të përfitimit material.

Më pas në aktakuzë tregohet si i akuzuari ka dërguar mesazhe telefonike përmes telefonit mobil që e ka poseduar e dëmtuara, duke shpërndarë mesazhe në telefona të personave të panjohur, duke iu treguar çmimin për shërbime të ndryshme seksuale, dhe duke e kërcënuar të dëmtuarën  me fjalët “…se unë ty të kam blerë me para dhe me ty mund të bëj çfarë të dua, se ti je nga Serbia  dhe askush nuk të ndihmon edhe nëse më lajmëron në polici”.

I pandehuri Bajrami në dhjetor të 2008, i kishte aranzhuar një takim të dëmtuarës me një person nga Kraleva e Serbisë, ndërsa ajo kur kupton se ajo do të trafikohet, në kohën kur i pandehuri ka qenë në punë ajo ikën dhe paraqet rastin në Polici, ku më vonë i pandehuri arrestohet.

Me këtë, i akuzuari Armend Bajrami, akuzohet se ka kryer veprën penale “trafikim me njerëz”.