Vdes infermierja Fitore Zenelaj e cila po përballej me kancerin e gjirit

Pas një sëmundje të rëndë ka vdekur infermierja Fitore Zenelaj nga Suhareka.

Për vdekjen kanë njoftuar familjarët e saj, të cilët kanë bërë të ditur se ajo ka vdekur dje gjatë trajtimit në Francë.

Zenelaj është përballur për disa vite me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe ka qenë një nga zërat më të fuqishëm për vetëdijesimin mbi luftën kundër kësaj sëmundje.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shprehur ngushëllime për vdekjen e saj, ndërsa e ka quajtur Fitoren frymëzim të luftës për mosdorëzim.

“U pikëlluam thellësisht për largimin në amëshim të infermieres Fitore Zenelaj. Gjallëria, entuziazmi e dashamirësia që rrezatonte Fitorja do të mungojnë në jetët e të gjithë atyre që patën rastin të punojnë me të, të trajtohen nga ajo dhe ata që e kishin pranë në jetën e tyre. Ajo luftoi. Por mbi të gjitha Ajo i mësoi të tjerët si të luftojnë”- ka shkruar ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj u ka shprehur ngushëllime familjarëve, teksa ka thënë se Fitore Zenelaj mbetet shembull i vullnetit dhe i energjisë për jetën.

Për vdekjen e saj, ka shkruar edhe kryetarja e komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

“Luftëtare më e madhe në betejë me armikun e shekullit, kancerin. Deri në fund avokoi për nevojën për diagnostikim të hershëm, por edhe për trajtim sa më inovativ. Shumë gra dhe vajza, pikërisht duke i falënderuar Fitores, zbuluan sëmundjen në fazat e hershme”- ka shkruar ajo.

Në tetor të vitit 2022, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, Zenelaj kishte rrëfyer përvojën e saj në trajtimin e kësaj sëmundje.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ajo kishte thënë se në mars të vitit 2019 e ka kuptuar për herë të parë që kishte kancer të gjirit.

“Herën e parë e kam kuptuar kur e kam prekur gjëndrën, në vitin 2019 në muajin mars, menjëherë jam orientuar në radiologji në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Nuk më ka ardhur mirë mënyra se si më ka pritur mjeku. Pasi ma bëri kontrollën më ka thënë se në ambulantën e tij private e paska kinse një aparat më preciz dhe kur shkova ishte i njëjti më atë të spitalit” – ka shpejguar ajo.

Sipas saj, bëhej fjalë për aparatin e ultrazërit.

Zenelaj ka thënë se për të bërë biopsinë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës lista ka qenë e gjatë dhe për këtë arsye ajo e ka kryer këtë shërbim në klinikë private.