Mamografia

Interesim i madh në Prishtinë për mamografi, terminet e zëna deri në janar

Në radhë për një termin për mamografi, dhjetëra gra të moshës së mesme prisnin në korridorin e mbushur me balona rozë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë mesditën e së hënës.

Nga kërkesat e shumta për t’iu nënshtruar incizimit të gjirit me rëntgen që zbulon kancerin, termini i lirë më i afërt ishte më 5 janar të vitit të ardhshëm.

Rritja e interesimit, sipas drejtorit të QKMF-së, Bujar Gashi, vjen për shkak të rritjes së vetëdijesimit pas fushatës së Komunës gjatë muajit tetor, që në tërë botën njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Nga 1 deri më 24 tetor, Gashi tha se kanë realizuar 650 mamografi.

Këtij volumi kërkesash i ka kontribuuar edhe mundësia që Komuna e Prishtinës ua ka ofruar qytetarëve të Obiliqit, Fushë-Kosovës, Vushtrrisë e Lipjanit për të bërë mamografinë në kryeqytet, në mungesë të një aparati të tillë në këto komuna.

Qytetarët e këtyre komunave do të kenë mundësi të caktojnë terminin e tyre në QKMF të Prishtinës vetëm deri në fund të tetorit. Ndërkaq, qytetarët e Prishtinës do të mund të caktojnë termin për mamografi falas edhe në të ardhmen, ashtu siç ka qenë që nga tetori i vitit të kaluar.

Megjithatë, kësaj pritjeje nuk u nënshtrohen rastet urgjente.

“Nëse rasti është urgjent me udhëzim të mjekut, me indikacion, nuk ka nevojë me ba termin” – tregoi Gashi për KALLXO.com.

Nga e hëna në të premten, nga ora 7:00 deri në 13:00, kryhen 35 deri në 40 mamografi, sipas Gashit.

Përveç në QKMF-në që gjendet te “Qafa”, këto incizime bëhen edhe në qendrat në Veternik dhe në Dardani.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, në një intervistë për KALLXO.com pati thënë se gjasat për t’u shëruar nga kanceri i gjirit janë shumë më të mëdha nëse ai zbulohet më herët, prandaj edhe preferohet që gratë mbi 40-vjeçe të bëjnë mamografinë.

Kanceri i gjirit prek gratë shumë më shumë sesa burrat.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm 0.5 deri në 1% e kancereve të gjirit prekin meshkujt.