Rrëfimi i nënës së Rita Orës për kancerin, si u prek nga kjo sëmundje në moshë të re?

Në muajin për vetëdijesimin e trajtimit të kancerit të gjirit, psikiatrja Vera Ora, nëna e Rita Orës, ka rrëfyer momentin kur e kishte kuptuar që ishte prekur nga kjo sëmundje.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime”, ka treguar se nga kanceri i gjirit u prek në moshën 39 vjeçare dhe për të e familjen ishte kohë e vështirë.

“Në atë kohë i kam pas fëmijët, nuk kam punuar dhe jam marr me sëmundjen, me terapi e cila ka qenë mjaftë e gjatë. Ka qenë mjaftë e mundimshme, si grua kam qenë mjaftë e prekur në shumë aspekte”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se kur është diagnostikuar me këtë sëmundje nuk kishte ndonjë shenjë të saj, andaj as doktorët në Britani të Madhe nuk i rekomanduan asaj që të bënte mamogram.

“Thash diçka nuk është në rregull dhe më tha doktori je e re nuk ke ndonjë shenjë të kancerit nuk ndodh tek moshat kaq të reja. Edhe i thash e dua një mamogram. Pasi që e bëra më thirrën urgjentisht dhe mjeku u ndi shumë keq sepse thoshte që s`të kam ekzaminuar siç duhet. E unë në ato momente ishta në një kaos mendor nuk ia vura veshin dhe aty filloi ajo rutina, diagnostikimi, tretmani, operimi, terapia”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se edhe në aspektin mental ka qenë e rënduar kur e ka kuptuar që është prekur me këtë sëmundje.

“Në moshë të re me u prek me kancer është shumë e vështirë, nuk e dija edhe sa kohë më ka mbetur për të jetuar. Ka qenë traumë për mua, për familjen”, tregon Ora.

Ajo ka shtuar se në këtë situatë i ka ndihmuar edhe mbështetja e familjes.

“Kam kërkuar të kemë terapi nga psikologu, kam qarë, jam ndi shumë e zhgënjyer me fatin që më ka ndodh, mirëpo t`u i pas edhe fëmijët doja me ju tregu që nuk bën me u dorëzu”, tregon Ora.

Ajo thotë se e ka zbuluar që ka kancer në fazën kur është dashur të ketë intervenim, radioterapi e kimioterapi.

“Ka qenë në një fazë, s’po them të avancuar, por kam pas nevojë për intervenime”, shton ajo.

Ora rrëfen se njëra ndër shkakqet kryesore të sëmundjes së kancerit është edhe mënyra e të ushqyerit.

Ajo për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se ushqimet e procesume janë shumë të rrezikshme.

“Këto janë shumë të rrezikshme por janë më të dëshirushme sesa ushqimi i shëndetshëm”, thotë ajo.

Ndër tjerash Ora shtoi se beson që stresi ka qenë arsyeja më e madhe e sëmundjes së kancerit.

“Ushtrimet e ndryshme, ushqimi i shëndetshëm ndikon në uljen e stresit”, ka thënë Ora në intervistën para gazetares Jeta Xharra në emisioni ‘Kallxo Përnime’.