Foto: Ministria e Shëndetësisë

ShSKUK siguron implantet për rikonstruktimin e gjirit te 50 gra të prekura nga kanceri

Mbi 50 gra që kanë qenë të prekura nga kanceri i gjirit do të mund të bëjnë rikonstruktimin e gjirit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Në muajin e ndërgjegjësimit për luftimin e kancerit të gjirit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizitoi sot Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive, ku realizohen këto operacione.

“Ministri Arben Vitia, shprehi kënaqësinë se shteti i Kosovës për herë të parë, përmes buxhetit të ShSKUK-së, ka siguruar mbi 100 implante dhe 50 ekspander, ku tashmë rikonstruktimi i gjirit mund të bëhet në QKUK, pa pasur nevojë që të paguhet 3 deri në 5 mijë euro në institucionet private shëndetësore” – thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Zatriqi e kontaktuar nga KALLXO.com tregoi se 25 nga këto operime veçse janë kryer, që nga prilli.

Zatriqi tha se interesimi ka qenë i madh dhe se kanë kërkuar ndihmë financiare që të kenë mundësi t’i vazhdojnë këto operime.

Operacione të tilla, sipas Zatriqit janë bërë edhe më herët në këtë klinikë, mirëpo në numër më të vogël dhe gjithmonë kanë qenë përmes donacioneve, ndërsa tha se kjo është hera e parë që është bërë ky investim përmes buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.

Drejtoresha u shpreh e lumtur që përmes këtyre operimeve do të mund t’ua kthejnë buzëqeshjen grave që kanë qenë të prekura nga kanceri.

Ajo tha se kjo ndikon pozitivisht në psikologjinë e këtyre grave, që për shkak të sëmundjes janë detyruar që ta amputojnë gjirin.

Arben Vitia ka premtuar se do të vazhdojë me investime që gratë e prekura nga kanceri të kenë me të lehtë diagnostikimin dhe trajtimin e tyre në institucionet publike shëndetësore.