Prishtina ofron mamografi falas për gratë e Fushë-Kosovës gjatë muajit tetor

Komuna e Fushë-Kosovës ka njoftuar për arritjen e një marrëveshjeje me Komunën e Prishtinës që t’u mundësohet grave nga Fushë-Kosova të kenë qasje në shërbime të mamografisë.

Kjo marrëveshje u bë në kuadër të muajit sensibilizues për sëmundjen e kancerit të gjirit.

“Arritja e një marrëveshjeje me Komunën e Prishtinës për t’i lejuar gratë nga Fushë-Kosova të kenë qasje në shërbimet e mamografisë është një hap sa i nevojshëm aq edhe i rëndësishëm. Ky partneritet jo vetëm që adreson një nevojë imediate për kujdesin shëndetësor, por gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet komunave në ofrimin e shërbimeve thelbësore të kujdesit shëndetësor për komunitetin”- thuhet në njoftim.

Sipas Komunës, gratë nga Fushë-Kosova mund të marrin këtë shërbim pa asnjë kompensim.

“Duke lehtësuar qasjen në shërbimet e mamografisë, gratë e Komunës së Fushë-Kosovës do të gëzojnë një qasje pa asnjë kompensim në shërbimet për të adresuar një çështje kaq të rëndësishme për shëndetin, prandaj inkurajoheni që të shfrytëzoni ketë mundësi dhe të kujdeseni për shëndetin Tuaj”- thuhet tutje në njoftim.

Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se ky shërbim do ofrohet për gra nga Fushë-Kosovë pasi kjo komunë nuk ka aparat mamografie.

“Sot jam takuar me nënkryetarin e Fushë Kosovës z. Besnik Osmani dhe drejtoreshën e shëndetësisë z.Mimoza Kolshi dhe i kam konfirmuar se shëndetësia e kryeqytetit në kuadër të muajit tetor do të ofroj mamografi falas për të gjtha gratë e Fushë Kosovës duke ditur se kjo komunë nuk ka aparat të mamografit!”- ka shkruar ai.

Komuna thekson se terminet mund të bëhen nga sot në numrin e telefonit: 045-167-111.

Komuna e Prishtinës të dielën organizoi maratonën “Race for the Cure” si pjesë e ndërgjegjësimit të popullatës për kancerin e gjirit.

Tetori është muaji i sensibilizimit të grave për kontrolle të hershme për këtë sëmundje.

.