Plani operativ "Goditja"

Vazhdon operacioni “Goditja”, konfiskohen 19 armë, kontrollohen afër 5 mijë vetura e mbi 100 lokale

19 armë të ndryshme janë konfiskuar nga Policia e Kosovës e janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat vetëm gjatë dy netëve të fundit.

Këto veprime policore u realizuan gjatë zbatimit të urdhrit operativ “Goditja”.

Ky plan policor si qëllim ka shtimin e aktiviteteve dhe patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, duke veçuar pjesët ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate e më shumë qytetarë që vizitojnë.

Sipas Policisë, më 8 e 9 gusht 2023, gjatë realizimit të detyrave që rrjedhin nga urdhri në fjalë, në tërë vendin janë angazhuar 823 patrulla policore të njësive të ndryshme policore, janë vendosur e realizuar 871 pika për kontrollin e automjeteve (PKA) e po ashtu janë realizuar 331 pika kontrolli me radar ose alkooltest.

Policia ka thënë se që nga fillimi i këtij plani janë kontrolluar 4 mijë e 848 vetura dhe 102 lokale të ndryshme.

Në njoftim është thënë se Policia do të vazhdojë aktivitetet në realizim të detyrave që dalin nga urdhri që është në zbatim e sipër.

Që nga fillimi i këtij muaji, në Kosovë tre persona kanë mbetur të vdekur në kafiteri e në lokale të natës.

Një person, 39-vjeçar ka mbetur i vdekur në orët e para të ditës së sotme në një lokal të muzikës “live” në fshatin Runik të Skenderajt.

Nga të shtënat me armë në Runik, të plagosur mbetën edhe tre persona të tjerë.

Personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe u përdorën dy armë.

Tronditje në opinionin kosovar së fundi shkaktoi shkrepja fatale e plumbave brenda kafiterive në dy raste të ndryshme, në Prishtinë e në Klinë, që lanë të vdekur dy persona, e të lënduar e plagosur rreth 20 të tjerë në kryeqytet vetëm gjatë javës së fundit.

Në Prishtinë e në Klinë në kafiteri që gjenden në qendër të këtyre dy qyteteve u vranë dy persona.

Për vrasjen në Klinë që ndodhi më 7 gusht 2023, i dyshuari është ende në arrati, përderisa KALLXO.com ka publikuar pamje se si ndodhi rasti.

Vetëm tre ditë më herët, më 4 gusht 2023, në Prishtinë ndodhi një incident ku nga plagët nga arma e zjarrit vdiq një person.

KALLXO.com ka publikuar më 9 gusht një analizë për rastet e vrasjeve brenda kafiterive në Kosovë me titullin “Plumbat brenda kafiterive që po marrin jetë njerëzish”.

Plani operativ “Goditja”
Plani operativ “Goditja”
Plani operativ “Goditja”
Plani operativ “Goditja”