Plumbat brenda kafiterive që po marrin jetë njerëzish

Rastet e vrasjeve së fundmi në Kosovë, kanë ngritur alarmin për situatën e sigurisë derisa statistikat tregojnë për shifra të larta të veprave penale të vrasjeve në tri vitet e fundit.

Në rrugë, në kafiteri e në ambiente familjare, që nga 2020 e deri në korrik të 2023-ës u regjistruan gjithsej 70 vrasje, duke mos llogaritur këtu edhe tri vrasjet e tjera që ndodhën në fillim të këtij muaji në Kosovë.

Tronditje në opinionin kosovar së fundi shkaktoi shkrepja fatale e plumbave brenda kafiterive në dy raste të ndryshme, në Prishtinë e në Klinë, që lanë të vdekur dy persona e lëndoi rreth 20 të tjerë në kryeqytet vetëm gjatë javës së fundit.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga Policia e Kosovës, tregojnë se rastet e vrasjeve, vrasjeve të rënda e vrasjeve nga pakujdesia në vend janë mjaft të shpeshta.

Të shpeshta janë edhe rastet e sekuestrimit të armëve, ku sipas Policisë përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë sekuestruar 556 armë të llojeve të ndryshme dhe mijëra copë municion, përfshirë këtu edhe armë automatike të cilat nuk lejohen që të posedohen nga qytetarët apo civilët.

Patrullimi më i shpeshtë i zyrtarëve policorë në afërsi të lokaleve të natës dhe jo vetëm, sigurimi i informatave inteligjente nga ana e policëve e kontrollimi më i shpeshtë i personave të dyshuar janë disa nga veprimet që ekspertët e sigurisë thonë se duhet të ndërmerren për të parandaluar këto raste. 

Madje, ekspertët vlerësojnë se dënimi meritor nga organet e drejtësisë i personave që kryejnë vepra të tilla penale është një nga veprimet që do të ndihmonte mjaft shumë në parandalim të kryerjes së krimeve të tilla.

E në anën tjetër, ata situatën e sigurisë në qytetet e Kosovës po e ndërlidhin edhe me gjendjen e krijuar në veri që nga nëntori i vitit të kaluar kur dorëheqje nga Policia e Kosovës dhanë me qindra zyrtarë serbë.

Lidhur me këto zhvillime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën në mbledhjen e qeverisë, ka kritikuar punën e institucioneve të drejtësisë.

Kurti thotë se në raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare, sipas tij konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo efikase dhe e ngadaltë.

“Janë të shumta rastet që personat me precedent të shumtë penal lëvizin lirshëm që i rrezikojnë dhe i marrin jetën qytetarëve tanë. Edhe raportet e ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore” – u shpreh Kurti.

Ai madje tha se niveli i besimit të  qytetarëve në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera.

Nërkaq, të mërkurën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se ka informacione nga Policia e Kosovës, se pas mesnatës në kryeqytet çdo e dyta ose e treta veturë që kalon nëpër rrugët e kryeqytetit është e armatosur.

“Kam informata, të cilat i mora prej drejtorit të policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka dojnë me bo ata, me çka po merren?” – është shprehur Rama, duke shtuar se institucionet duhet të jenë të rrepta për këto raste.

Si mund të parandalohen vrasjet?

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë për KALLXO.com se parandalimi i këtyre vrasjeve mund të bëhet duke u aktivizuar sa më shumë stacionet policore në qytete.

Ai ka thënë se diçka e tillë është shumë e nevojshme sidomos gjatë këtyre muajve të verës kur ka një shtim të popullsisë, të dasmave, e të vizitave në kafiteri për shkak të ardhjes së diasporës.

“Duhet që drejtoritë rajonale, me Njësi të Reagimit të Shpejtë të jenë prezentë sidomos në këto pjesët ku ka më shumë lokale, kafiteri e diskoteka” – tha Qalaj.

Madje ai tha se duhet të ketë një kujdes të shtuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë e nga eprorët e tjerë në caktimin e policëve që dalin në terren, duke thënë se duhet të jenë zyrtarë që i njohin mirë lokacionin dhe mentalitetin e qytetarëve të atij vendi.

Në anën tjetër, njohësi i sigurisë, avokati Ridvan Kajtazi, që punoi një kohë edhe në Inspektoriatin e Policisë thotë se për tu parandaluar këto vrasje duhet të ketë dënime meritore.

“Dënimet e buta, politika penale e butë ose e lehtë ka ndikuar që këto raste me qenë më të shpeshta” – shprehet ai.

Kajtazi thotë se është edhe më shqetësuese që këto vepra penale po kryhen në kafiteri, duke bërë që të rrezikohet edhe jeta e të tjerëve.

Ndikimi i situatës së sigurisë në veri

Sipas ish-drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj muajt e fundit, qytetet e Kosovës nuk kanë pasur fokusin e duhur në aspektin e sigurisë.

Ai tha se ky fokus është transferuar në komunat veriore të Kosovës.

“Këta muaj e fundit nuk ka qenë fokusi i duhur në aspektin e sigurisë në qytetet tjera, sidomos në Prishtinë. Fokusi ka qenë kryesisht në veri ndërsa në Prishtinë kanë ndodhur disa incidente mjaftë të rënda gjatë këtyre muajve, të cilat kanë sjell si pasojë edhe vdekje” – tha ish-shefi i Policisë.

Edhe njohësi i sigurisë, avokati Kajtazi nuk e përjashton si mundësi që situata e sigurisë në qytetet tjera është rënduar për shkak të veriut.

Ai thotë se pavarësisht kësaj, zyrtarët policor duhet të vazhdojnë në përmbushjen e detyrave të tyre zyrtare.

“Nuk e përjashtoj si mundësi që ka mundur me ndiku edhe çështja e veriut, mirëpo edhe Policia me kontrollet e saj të befasishme, kontrollet rutinë të ndryshme duhet të jenë më të shpeshta, duhet të ketë kontrolle të vazhdueshme të konfiskimit të armëve pa leje edhe procedimit të rasteve ndaj personave që i kanë këto armë” – thotë ai.

Sipas Kajtazit, personave që janë të përfshirë në këto vepra penale, pra të vrasjeve që ndodhën ditëve të fundit duhet fillimisht t’i dihet e kaluara kriminale.

Ai thotë se në bazë të kaluarës së tyre më pas edhe duhet të vendoset se si e për sa kohë duhet të dënohet.

“Duhet fillimisht me u bë një analizë sa i përket të kaluar së tyre kriminale për shkak se ajo që kemi parë ka rezultuar që personat e përfshirë në këto raste edhe më herët kanë pas të kaluar kriminale dhe kanë pas raste të ngjashme kryesisht raste të posedimit të armëve pa leje” – thotë Kajtazi.

Tutje ai thotë se fjala e fundit për këta persona vie nga ana e organeve të drejtësisë, që sipas avokatit kjo e fundit po përdor një ‘politikë të butë të dënimeve’.

“Nëse një person është recidivist në posedim të armëve pa leje nuk mundesh vazhdimisht me i shqiptu sanksion dënim me gjobë 300-500 euro, por në raste të tilla duhet të merret parasysh edhe e kaluara e personit dhe të shqiptohet sanksione me të rënda penale” – thotë Kajtazi.

Sipas tij politikat ndëshkimore që gjykatat po aplikojnë janë kryesisht shqiptime të gjobave.

Në anën tjetër, sipas ish-drejtorit të Policisë, parandalimi i vrasjeve mund të ndodhë edhe nëse zyrtarët policor të Drejtorisë për Inteligjence dhe Analizë rrisin aktivitetin e tyre.

“Mendoj që Policia e Kosovës duhet të rris aktivitetin, sidomos drejtoria për inteligjencë, të ketë informata sa më shumë për kryerësit e mundshëm” – thotë Qalaj. 

Ai shton se brenda PK-së ekziston edhe një njësi, e cila merret me persona që janë në arrati, të cilët sipas ish shefit policor duhet sa më shpejtë që është e mundur të arrestohen.

“Ata duhet të arrestohet dhe të mos lejohet që edhe personat që janë në kërkim ndërkombëtar të shëtitin nëpër Prishtinë, nëpër Kosovë e pastaj të krijojë incidente të ndryshme” – shtoi Qalaj.

Sipas Qalajt në qytetet e Kosovës – përjashto këtu qytetet e pjesës së veriut – muajt e fundit ka munguar reagimi i njësive speciale dhe i reagimit të shpejt, diçka që Qalaj tha se ka qenë gjatë viteve të kaluara.

Vrasjet në kafiteritë e Kosovës ndër vite

Vetëm gjatë javës së fundit, në Kosovë ndodhën dy vrasje me armë zjarri në dy qytete të ndryshme brenda kafiterive.

Në Prishtinë e në Klinë në kafiteri që gjenden në qendër të këtyre dy qyteteve u vranë dy persona.

Për vrasjen në Klinë që ndodhi më 7 gusht 2023, i dyshuari është ende në arrati, përderisa KALLXO.com ka publikuar pamje se si ndodhi rasti.

Nga ana e forcave të rendit po kërkohet Tushë Frroku, i cili u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, pesë orë pas rastit të vrasjes që u regjistrua në Klinë, motivet e të cilës nuk dihen ende.

Vetëm tre ditë më herët, më 4 gusht 2023 në Prishtinë ndodhi një plagosje tjetër ndaj viktimës që vdiq më pas, e me dhjetëra persona të tjerë mbetën të lënduar.

Shënonte ora 23:17 kur të premten e kaluar në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, nga të cilat u lënduan katër të dyshuar burra, e si pasojë e thyerjeve të gotave e shisheve të qelqit lëndime pësuan 17 persona të tjerë.

Plagë nga arma mori edhe Kastriot Ramadani, i cili nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të dyshuar në këtë ngjarje janë Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti e Dukagjin Nikollaj që në natën kritike gjendeshin në lokalin në fjalë me një person të paidentifikuar.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj.

Dosja tregon se për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj, e më pas Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit.

Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajazi e Hisni Gecaj. Ky i fundit në përshkrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thike duke vepruar në kundërshtim me ligjin.

Andi Pajaziti sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë, po ashtu dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Për veprën penale vrasje e rëndë  në tentativë dyshohet Dukagjin Nikollaj, i cili sipas Prokurorisë në kohën e kryerjes së veprës penale gjendej në arrati. I njëjti dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprën penalë shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa Hisni Gecaj e Gëzim Zakuti dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Viti 2023 kishte filluar me një vrasje tjetër në një lokal tjetër të Kosovës.

Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City” në Prizren kishte ndodhur një gjuajtje me armë dhe kishte mbetur i vdekur një 31 vjeçar nga Kukësi.

Dibran Hoxha, i njohur si ‘Kobra’, është i dyshuari kryesor për veprat penale– vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Lidhur me këtë incident të dyshuar janë edhe Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrallahu dhe Roland Susuri. Ata po dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë. Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja. E madje dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

Vrasje të tilla në kafiteri të ndryshme të vendit ndodhën ndër vite. E të dënuar për vepra të tilla penale ka edhe persona publik.

Ish-deputeti Gani Geci është i dënuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, në njërën nga kafiteritë e Skenderajt në gusht 2014.

Mbi 70 vrasje që nga viti 2020

Burra e gra mbetën të vrarë për shkak të motiveve të ndryshme në Kosovë në vitet e fundit. 

Që nga 2020-ta e deri në korrik të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë regjistruar gjithsej 70 raste.

Përderisa, që nga 1 gushti i 2023-ës, në raportet ditore të Policisë u raportua edhe për vrasjen e një gruaje, shtetase e Argjentinës në Fushë Kosovës, vrasja në lokalin “Bon Vivant” e edhe vrasja e ndodhur në një lokal në Klinë.

Në 2020 kanë ndodhur gjithsej 17 vrasje, tetë nga to janë iniciuar si vrasje e nëntë të tjera si vrasje të rënda.

Në 2021 ka ndodhur një vrasje më shumë sesa në vitin paraprak. Nga këto 18 vrasje, gjashtë janë iniciuar si vrasje, 11 si vrasje të rënda dhe një si vrasje nga pakujdesia.

Numri i vrasjeve është shtuar një vitë më vonë. Në vitin që lamë pas ndodhën gjithsej 21 raste, ku pesë u iniciuar si vrasje, 14 si vrasje të rënda dhe dy si vrasje nga pakujdesia.

Përderisa, për shtatë muajt e parë të vitit aktual kanë ndodhur gjithsej 14 raste ku pati viktima që mbetën të vrarë.

Sipas të dhënave të Policisë, numri i rasteve që u iniciuar si vrasje që nga janari e deri në korrik është pesë, vrasje të rënda shtatë e nga pakujdesia dy. 

Në anën tjetër, Policia me qëllim të shtimit të masave të sigurisë ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.

Ky plan i quajtur ‘Goditja’, ka për qëllim shtimin e aktiviteteve apo patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.

Gjatë realizimit të planit është thënë se do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.