Seanca gjyqësore ndaj Betim Reçicës, Leonora Limanit, Isa Berishës e Mirdit Eminit (30.09.2022), Foto: KALLXO.com

Vazhdon gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për tenderin e autostradës së Gjilanit

Ka vazhduar gjykimi ndaj Betim Reçicës, Isa Berishës, Mirdit Eminit dhe Leonora Limanit, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre si zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit dhe të dëmtuarit u dëgjua Naim Sallahu.

Sallahu rrëfimin e tij e filloi duke treguar se shumicën e dosjes dhe aplikimin për tender e kishte përgatitur vet.

Ai tha se kishte bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokuromit për shkak se kishte marrë përgjigje negative edhe pasi që ai kishte shtuar në kërkesë për rishqyrtim të gjitha dokumentet e munguara.

Mirëpo OSHP kishte marrë vendim që edhe përkundër kësaj të vazhdohet procedura.

Tutje në seancë është paraparë të dëshmojë eksperti Fehmi Zejna, i cili nuk ishte prezent.

Ai ka kërkuar nga gjykata që seanca të shtyhet deri sa të marrë përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit se a ka konflikt interesi meqë tashmë i njëjti mban pozitë të lartë menaxheriale në Këshillin Prokurial të Kosovës.

Në lidhje me ketë kërkesë të tij pritet që gjykata të vendos me aktvendim të veçantë.

Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e u.d. drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e Komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të autostradës së Gjilanit.

Këtë vepër sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të Komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Sipas aktakuzës, Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Construction” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Për të njëjtin tender, Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Construction” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t’u shpallur kompani e përgjegjshme.

Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të Ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes të cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H.M. dhe A.B. t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar.

Ky veprim, sipas Prokurorisë, e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.

Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpëlarje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.