Gjykimi në lidhje me autostradën e Gjilanit, eksperti i prokurimit: Buxhetit iu shkaktua dëm rreth 6 milionë euro
Qysh në ditën e parë të zbatimit të Kodit të ri të Procedurës Penale janë paraqitur probleme lidhur me mbajtjen e seancës gjyqësore në vazhdimin e gjykimit në rastin e tenderit për autostradën e Gjilanit.
Kur pritej të vazhdonte gjykimi në sesionin e pasditës me dëgjimin e ekspertit të prokurimit ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së infrastrukturës Betim Reçica, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, seanca është shtyrë.
Shtyrja e seancës erdhi pasi që mbrojtësi i të pandehurit Isa Berisha, avokat Florent Latifi nuk u paraqit në sallë në këtë sesion, pasi që Latifaj lajmëroi gjykatën që i njëjti kishte konflikt të orarit lidhur me seancat gjyqësore që po mbaheshin në të njëjtën kohë.
Me Kodin e ri të Procedurës Penale, mbrojtja është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi pesë vjet burgim, e për këtë arsye në mungesë të mbrojtësit Latifi u pamundësua mbajtja e këtij shqyrtimit gjyqësor.
Gjithashtu kërkesë për shtyrje të seancës kishte edhe eksperti i prokurimit, Fehmi Zena, siç tha ai për arsye personale.
Paraprakisht, në sesionin e paradites, eksperti Zena tha se rreth 6 milionë euro i është shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, kur u pyet nga mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, Driton Muharremi se në bazë të cilit përfundim ishte bërë ky vlerësim për faktin se raporti i komisionit të vlerësimit thotë se operatori ekonomik mund të shpërblehet vetëm me një llot.
Zena tha që në bazë të dokumentacioneve që i ka pasur në dispozicion pas analizimit të tyre ka ardhur me konstatim që buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm në shumën prej 2 milionë e 200 mijë euro.
“Në bazë të dokumentacioneve që i kam pas në dispozicion, ka rezultuar në atë se disa operator ekonomik nëse do të ishin renditur në bazë të çmimit më të ulët të operatorëve ekonomik të tjerë e cilët janë anuluar nëse do t’i renditshim në bazë të asaj se si është kërkuar çmimi më i ulët, ku e shihini edhe tabelën, ka rezultuar që buxhetit i Kosovës është dëmtuar për 6 milionë e 200 mijë e 313 euro e 13 centë. Me zgjerimisht është specifiku në ekspertize…”- tha eksperti i prokurimit Zena .
E sipas tij, çmimi më i ulët ishte ashtu siç ishte kërkuar në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për dhënien e kontratës.
Eksperti i prokurimit shtoi tutje se gjatë përpilimit të ekspertizës kishte vërejtur se disa operatorq ekonomik janë të përgjegjshëm, përderisa nga operatori kontraktues kishin dalë të jenë të papërgjegjshëm.
“Disa operatorq ekonomik nga operatori kontraktues që jonë dalë të papërgjegjshëm, kur e kam bërë ekspertizën kanë dalë të përgjegjshëm, e ka pasur operator ekonomik që kanq dalë edhe të papërgjegjshëm por në renditje kanë qenë gabimisht, ndërsa renditjen që e kam bërë në ekspertizë e kam bërë në bazë të operatorqve ekonomik të përgjegjshëm”- tha për fund eksperti.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 13 prill të këtij viti ku do të vazhdohet marrja në pyetje e ekspertit të prokurimit.
Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e ish- u.d. drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të autostradës së Gjilanit.
Këtë vepër, sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.
Sipas aktakuzës, Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.
Për të njëjtin tender Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t’u shpallur kompani e përgjegjshme.
Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të Ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.
Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes të cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë.
Po ashtu, sipas aktakuzës, ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H.M. dhe A.B. t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar.
Ky veprim, sipas Prokurorisë, e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.
Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpëlarje të parave pasi sipas Prokurorisë, me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë ‘Audi F2 S7 sport’ të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.
Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.